Theron do të lansojë në treg një linjë xhinsesh Denim

New York, 9 mars - Charlize Theron është gjithmonë në kërkim të vëmendjes kur kalon në tapetin e kuq, por tani aktorja fituese e çmimit Oscar po përpiqet të tërheqë vëmendjen e fansave me një projekt jashtë botës së kinemasë.
Aktorja afrikano-jugore, në bashkëpunim me stilistin Leslie Fremar, po mendon të lansojë në treg një linjë xhinsesh Denim, bën të ditur The Hollywood Reporter.
Një tjetër lajm i mirë për fansat e 37-vjeçares është se produktet xhins do të shiten me çmime të arsyeshme në tregje të posaçme për masën popullore, dhe jo për shtresat e larta.
Megjithatë, projekti i aktores është ende në fazat fillestare dhe vetë Theron nuk ka dashur ta konfirmojë lajmin për mediat.
Kur bëhet fjalë për të ndryshuar stil, Theron është gjithmonë në vijën e parë. Nëna beqare e vogëlushit Jackson së fundmi u qeth në zero për një rol në filmin Mad Max.
Është fantastike. Mirëmbajtja e flokëve nuk kërkon shumë vëmendje dhe kur ke një fëmijë ke më shumë kohë për tu marrë me të, tha Theron për E! News.