Thellohet miqësia Kosovë - Mali i Zi

Prishtinë, 3 qershor - Republika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi janë dy shtete që kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe mundësi të mëdha për të shtuar bashkëpunimin në fushën e kulturës, por edhe segmente të tjera.
Kështu tha Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi pas takimit që pati sot me homologun e tij malazez, Branislav Mićunović.
Ky takim ka shënuar edhe hapjen e Forumit të Miqësisë Kosovë Mali i Zi, Radovan Zogović i cili po mbahet sot dhe nesër në Prishtinë.
Ministri Krasniqi ka njoftuar zotin Mićunović me të arriturat dhe sfidat që ka Kosova në fushën e kulturës.
Ai ka njoftuar se Kosova ka krijuar një fond të pasur të aktiviteteve kulturore qoftë në teatër, kinematografi, muzikë dhe arte të tjera, si dhe në dy vjetet e fundit ka prezantuar skenën e vet kulturore në skenat më të rëndësishme të kulturës në botë, qoftë festivale të filmit, muzikës, arkitekturës, artit bashkëkohor, etj.
Ministri po ashtu përmendi se Kosova ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shtete të ndryshme, dhe në këtë kontekst, ai në konferencën për shtyp pas takimit, përmendi se Kosova dhe Mali i Zi tashmë janë pajtuar për pikat e marrëveshjes dhe se ajo do të nënshkruhet në javët e ardhshme.
Për këtë, tha ai, do të punohet edhe në planifikimin e hapave konkretë që do të ndërmarrin të dy vendet pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ai e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm për të dy vendet, dhe për forcimin e lidhjeve mes vet artistëve nga të dy vendet.
Nga ana e tij, Ministri Mićunović ka vlerësuar të arriturat që janë bërë në Kosovë në fushën e kulturës dhe ka falënderuar institucionet për mbështetjen që i kanë dhënë komuniteti malazez në Kosovë.
Ai tha se Forumi i miqësisë Kosovë Mal i Zi është një nga nismat më të mira për të shtuar bashkëpunimin dhe vlerësoi se ky forum në të ardhmen është i nevojshme që të bëhet regjional. Mićunović foli për miqësitë që ai ka pasur me artistë këtu në Kosovë, e në këtë rrafsh përmendi Bekim Fehmiun dhe Faruk Begollin.
Ai e ka vlerësuar si shumë të lartë iniciativën e MKRS-së që Çmimet për Kinematografi, ai për Vepër Jetësore të mbajë emrin e Bekim Fehmiut, dhe u shpreh mjaftë i lumtur që ky çmim i është ndarë Faruk Begollit.
Kultura nuk njeh kurrfarë kufij, andaj duke u nisur nga ky fakt, dy ministritë tona nuk kemi pasur kurrfarë pengese në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror e ndërfqinjësor tha ministri Mićunović.
Pas takimit, të dy ministrat kanë hapur Forumin e Miqësisë Kosovë Mal i Zi Radovan Zogović në të cilin kanë marrë pjesë shumë shkrimtarë e njerëz të artit në përgjithësi.
Ministri Krasniqi tha se personaliteti i shkrimtarit malazez Zogović, që ka jetuar he vdekur në Kosovë, është një model për frymën e dashurisë dhe respektit për njeriun.
Shkrimtari malazez Radovan Zogović, i cili duke iu kundërvënë projektit hegjemonist serb të kolonizimit të tokës së Kosovës, na e la një testament të miqësisë e të humanizmit të kulluar. Poema e tij Ardhësit - këngët e Ali Binakut mund të shkruhej vetëm nga një poet që kishte në zemër dashuri të madhe për njeriun, që kishte ndjenjën e drejtësisë e të barazisë së popujve dhe që kishte guximin ta shprehte idealin dhe vizionin e vet, në një ambient ku fjala e lirë ishte e ndaluar.
Edhe pse ambienti kulturor e politik në atë kohë ishte i errët, fjala e tij poetike në mbrojtje të drejtësisë, jehoi gjatë dhe nuk u mposht as nga censura dhe as nga propaganda.
Vargjet e tij edhe sot lexohen e përjetohen me emocion nga lexuesit që duan edhe vlera artistike e edhe mesazhe humane në një vepër letrare, ka thënë Ministri Krasniqi.
Ky forum tha ai, po ndodh në kohën kur të dy vendet tona po ndërtojnë raporte shumë të shëndosha.
Në të njëjtën kohë, tha Ministri Krasniqi, ky bashkëpunim i shtuar mes dy vendeve është edhe argument i orientimit tonë për integrime rajonale e evropiane, të cilat do të na hapin horizonte të reja për kulturat tona e për popujt tanë.
Ndërkaq, homologu nga Mali i Zi, Ministri i Kulturës, Branislav Mićunović vlerësoi se ky forumi i miqësisë mes dy popujve fqinj është përkrahur nga qeveria e Malit të Zi dhe vlerësoi se pa dyshim Forumi Radovan Zogović është një mesazh i fuqishëm për miqësi dhe bashkëpunim fqinjësor të ndërsjellë.
Gjithashtu, të dy ministrat morën pjesë në panelin e parë të këtij forumi i cili trajtonte krijimtarinë e shkrimtarit Zogović, universalitetin e punës së tij si simbol i miqësisë së dy popujve si dhe mirëkuptimin dhe bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe malazezëve.
Adem Demaçi i cili ishte një nga panelistët e këtij forumi vlerësoi lartë këtë organizim që ka bërë MKRS-ja dhe tha se raportet mes dy popujve duhet të vazhdojnë të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.
Para se gjithash, jemi njerëz, e pastaj shqiptarë apo malazezë dhe kësisoj duhet të kemi parasysh këtë raport njerëzor për një fqinjësi të mirëfilltë, tha shkrimtari e publicisti Demaçi.