Teoria që na mungonte

Hiqini dilemat për gazetarinë në është zanat, shkencë apo art, lexojeni librin Tipologji dhe zhanër
Berat Armagedoni
Librat teorikë për gazetarinë në gjuhën shqipe para vitit 2000 kanë qenë të paktë. Mund të përmendën tre, eventualisht katër, të autorëve shqiptarë të Shqipërisë, jo të këtyre të Kosovës.
As përkthimet nga kjo fushë skanë lulëzuar deri vonë. Interesim për përkthimin e kësaj literature nga anglishtja dhe italishtja dhe botimin e saj shprehte Shqipëria.
Kurse Kosova, pas transportimit e prezantimit të botimeve të shtëpive botuese të Shqipërisë në Panairin e Librit në Prishtinë, i blinte, se i duheshin më shumë se çdo botim tjetër.
Me këtë rast, për ta parë se sa e varfër ka qenë biblioteka me libra nga ky zanat, po ia hedhim sytë një katalogu të librave nga fusha e gazetarisë, të cilët i kemi kërkuar dhe identifikuar si libra shkruar veçanërisht për mediet, në uebfaqet e dy bibliotekave tona kombëtare, asaj të Shqipërisë dhe kësaj sonës, të Kosovës, me të cilët mund të dëshmojmë se interesimi për teorinë e gazetarisë te shqiptarët ka nisur vonë.
Praktika, pastaj teoria; logjika paradoksale!
Për ti paraqitur këta libra për gazetarinë skemi bërë kronologji të moshës së librave të botuar, as të autorëve të tyre e as nuk e kemi ndjekur rendin alfabetik të autorëve.
Madje as nuk i kemi vendosur para pse njëri është më i famshëm se tjetri. I kemi dhënë kështu, të pasistemuar, siç na kanë paraqitur ato uebfaqe pas përzgjedhjes sonë tematike: Éric Scherer, A na duhen më gazetarët: manifest për një gazetari të shtuar, Papirus, Tiranë, 2012; Milazim Krasniqi, Hyrje në gazetari, Rozafa, Prishtinë, 2008; Joseph R. Dominick, Dinamika e komunikimit masiv: media në periudhën digjitale, UETPres, Tiranë, 2010; Philip Patterson, Lee Wilkins, Etika në media: çështje dhe raste, UFO Press, Tiranë, 2009; Nick Couldry, Media, shoqëria, bota: teori sociale dhe praktika e medies digjitale, Instituti Shqiptar i Medies, Tiranë, 2004; Charles Ess, Etika e medieve digjitale, Instituti Shqiptar i Medies, Tiranë, 2004; Marshall McLuhan, Instrumentet e komunikimit: media si një zgjatim i njeriut, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, Tiranë, 2004; Jean-Pierre Meunier, Daniel Peraya, Hyrje në teoritë e komunikimit: analizë semio-pragmatike e komunikimit mediatik, Migeeralb, Tiranë, 2009; Ledio Orozi, Hyrje në teorinë e komunikimit, UFO Press, Tiranë, 2010;
Bill Kovach, Tom Rosenstiel, Elementët e gazetarisë: çfarë duhet të dinë gazetarët dhe çfarë duhet të kërkojë publiku, ISHM, Tiranë, 2009; Gianfranco Marrone, Trupat shoqërorë: proceset komunikuese dhe semiotika e tekstit, Dudaj, Tiranë, 2008; Brian S. Brooks [et. al.], Raportimi dhe shkrimi i lajmeve, IDK, Tiranë, 2005; Rodger Fidler, Mediamorfoza të kuptojmë mediet e reja, Instituti Shqiptar i Medies, Tiranë, 2001; Hamit Boriçi [et. al.], Gazetaria, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2000;
Ibrahim Berisha, Media-agjensët e komunikimeve, Universiteti AAB, Prishtinë, 2007; Bardh Rugova, Gjuha e gazetave, Koha, Prishtinë, 2009; Luan Rama, Metamorfoza e fjalës: përse një deontologji për shtypin, Albin, Tiranë, 1997; Edmund B. Lambeth, Gazetaria me përkushtim: etikë për profesionin, Dituria, Tiranë, 1998; Balle, Francis, Mediet & Shoqëritë, Papirus, Tiranë, 2011; Barbier & Lavenir, Historia e medies nga Dideroi te interneti, ISHM, Tiranë, 2004; Claude-Jean Bertrand, Deontologjia e medieve, ISHM, Tiranë, 2007; Kosho, Joana, Gazetaria televizive, Qendra Hapësirë, Tiranë, 2010;
Maigret, Eric, Sociologjia e komunikimit dhe e medieve, Papirus, Tiranë, 2010; Meunier, Jean-Pierre; Peraja, Daniel, Hyrje në teorinë e komunikimit, QSSHE, Tiranë, 2009; Russ-Mohl, Stephan, Gazetaria, K&B, Tiranë, 2010; Schult, Gerhard; Buchholz, Axel, Gazetaria televizive, K&B, Tiranë, 2002, e ndonjë tjetër.
Pra, para këtyre librave, shumica botuar para shtatë-tetë vjetësh, është bërë punë praktike në medie, më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri, pastaj ka nisur të njihet pak, aq pak sa njihet edhe sot, teoria e saj e përgjithshme, e cila është më e komplikuar sesa e letërsisë.
Faik Konica me një krah skripta
Shkolla e Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv Faik Konica në Prishtinë ka ekzistuar para luftës. Po kjo shkollë, pas përfundimit të luftës, është emëruar fakultet. E atë vit kur i çeli dyert UP-ja për studentë, i hapi sytë edhe Faik Konica i Ramiz Kelmendit. Por, Faik Konica sot nuk rron. Rron Ramiz Kelmendi, rrojnë gazetarët e Faik Konicës.
Ky bajraktar i shkollës së gazetarisë nisi shkollimin e gazetarëve me një krah skripta nga fusha e gazetarisë, të cilat - disa i përktheu R. Kelmendi, disa Baton Haxhiu, disa të tjerë Shkëlzen Maliqi e ndonjë tjetër dikush tjetër. Ata libra që ishin përkthyer nga personeli akademik i këtij fakulteti (quhej kështu, fakultet) ishin krejt pesë a gjashtë dhe ishin për nevoja të studentëve. Skishte më shumë. Megjithatë, Faik Konica nisi kështu dhe nisi mbarë por, jetoi shkurt. U mbyll, me apo pa dëshirën e Kelmendit.
Derisa u hap në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, në vitin 2005, Dega e Gazetarisë, gazetat Epoka e re (më shumë se të gjitha të tjerat), Kosova sot, Koha ditore, Bota sot, Zëri u jepnin zanat gazetarëve, i aftësonin për punë, ua mësonin praktikën ende pa e mësuar ata teorinë.
Ndërkohë, filluan në UP, pas tre vjetësh (në 2008-n), edhe studimet master. Sivjet, pasi vitin e kaluar sia dhanë vizën, filluan edhe të doktoratës.
Dmth., tradita e studimit të gazetarisë në Kosovë ka vazhduar, njëherë në një fakultet privat, tash e tutje, përpos në universitet shtetëror, edhe në nja shtatë a tetë kolegje private, në të cilët ende ligjërojnë më shumë profesorët që kanë mbaruar studimet për letërsi sesa ata që kanë mbaruar për gazetari! Ligjërojnë edhe ata që si kanë mësuar as praktikën, as teorinë e saj, që skanë punuar kurrë në medie.
Librat për gazetarinë, po të shikohen syllabuset e cilave do lëndë të degëve të gazetarisë në kolegje e në UP, kanë literaturë më shumë në gjuhën e huaj (anglisht, italisht, serbisht e frëngjisht) sesa të autorëve shqiptarë. E këtë referencë ligjëruesit e lëndëve nuk e japin se kanë xhelozi në autorët shqiptarë, por për shkak se nuk ka autor shqiptar që është marrë aq shumë dhe as sa ka nevojë gazetaria për ta e kontributin e tyre (siç i pamë autorët e huaj në pjesën e parë të këtij teksti).
Edhe ata që janë marrë janë shumë pak. Disa që kanë shkruar për zanatin e gazetarisë janë marrë moti me të (Hamit Boriqi), kurse gazetaria e teknikat e saj kanë shkuar shumë përpara, saqë sot po konsiderohet shkencë, e ata kanë mbetur aty ku kishin filluar të jepnin mendime për të, se është vetëm zanat.
Disa të tjerë, bajraktarë të Degës së Gazetarisë në UP, më shumë janë interesuar për historikun e gazetarisë e kanë shkruar libra për nevoja të studentëve e të fakultetit (Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Rrahman Paçarizi, Bardh Rugova e Lindita Tahiri).
Disa të tjerë, duke folur për komunikimin e publikut me mediet, janë marrë më shumë me publicistikë (Artan Fuga, Gëzim Mekuli e ndonjë tjetër) dhe sot e tutje më shumë i konsiderojmë publicistë (opinionistë) sesa studiues.
Dikush është përpjekur të shkruajë kinse doracak për gazetarët e ka rrëshqitur fort në mendimet për gazetarinë (Shaqir Foniqi). E, ka të tjerë që, pa i lexuar as librat e këtyre, pa pasur as titull shkencor, përpos zanat në gazetari, më ka ligjëruar mua dhe ligjëron ende në UP ose në ndonjë kolegj.
Dmth., pa pasur kurrfarë lidhje, as logjike e as shkencore me shkencë, përpos me shef dege, dekan e rektor. E kjo gazetari në Kosovë është zhvilluar kështu dhe ka arritur deri këtu ku është sot.
Tipologji dhe zhanër, kjo teori që na mungonte
Këtyre librave studimorë për gazetarinë vitin e kaluar i është shtuar edhe një libër mjaft me interes për studentët, profesorët, gazetarët e botuesit. Libri quhet Tipologji dhe zhanër. Është ky libër që ilustron këtë tekst. Autor i tij është Bajram Kosumi. Sot profesor në Degën e Gazetarisë në UP, dikur kryeministër i Kosovës.
Ky studiues i gazetarisë e i letërsisë, njëjtë si kolegët e tij të mëparshëm, boton këtë libër së pari për nevoja të studentëve:
Ky libër në radhë të parë është për studentët e Gazetarisë e të Letërsisë, për gazetarët e të gjitha profileve dhe zhanreve, të cilët duan të thellohen në studimet e tekstit, në cilindo aspekt studimor të tij.
Ndoshta libri mund të jetë edhe një udhërrëfyes për studiuesit e zhanrit të tekstit! E me këtë libër na mëson për zhanret, për tipat e teksteve e teknikat e shkrimit të tyre, për strukturën e teksteve, për llojet e gazetarisë, për stilet e medieve, ndikimin e tyre e për shumëçka tjetër.
Së këndejmi, libri ka tre kapituj: 1. Kah një teori për gazetarinë, 2. Teoria e zhanrit gazetar, 3. Prirje tipologjike të gazetarisë.
Në pjesën e parë, siç edhe është i emërtuar kapitulli, jepen definicione për gazetarinë, për lidhjen e gazetarisë me shkenca të tjera dhe me arte, veçanërisht me letërsinë, për gazetarinë mes artit dhe shkencës (lajmi si art dhe rregullat si shkencë), për zhvillimin e gazetarisë në botë, për ndikimin e këtij pushteti në cilindo shtet, për statuset e gazetave, për pavarësinë ose njëanshmërinë e tyre, për tipat e ndryshme të gazetarisë (gazeta ditore, zyrtare, online; radiogazetaria, televizioni), për llojet dhe mënyrat e ndryshme të komunikimit, për llojet e lajmeve, për profilet e gazetave e të medieve të tjera etj. Dhe gjithherë, edhe kur paraqet mendimet e Mensherit, Randallit, Bertrandit, Van Dijkut, Filip Mejerit, Bill Kovaçit e Tom Rosenstiellit e të ndonjë tjetri, ngre dyshime: është apo nuk është gazetaria shkencë?!
E kur i përplas idetë e këtyre teoricienëve të mëdhenj të medieve e të diskursit medial, nxjerr përfundime se gazetaria, çfarëdo që të jetë e çfarëdo që dëshiron dikush ta quajë, zanat, art apo shkencë, ka lindur si praktikë, por nga kjo praktikë është zhvilluar dhe po zhvillohet teoria.
Dmth., ky zanat i dikurshëm sot duhet të studiohet, se gazetaria është zhvilluar shumë, se ka marrëdhënie me shumë fusha. Prandaj edhe profesor Kosumi, duke ndjekur këtë rrjedhë të saj, ka dashur ta forcojë dhe argumentojë bindjen e vet dhe të qindra studiuesve të medieve, se ekziston teoria e gazetarisë, se ekzistojnë tipat e saj, se ekzistojnë zhanret e saj, se ka edhe rregulla të shkrimit të lajmeve të saj, se ekziston një diskurs i veçantë i saj, se kjo gazetari ka parime, se si ka vetëm pesë-gjashtë pyetje, se as smund ta ushtrojë sekush këtë zanat.
Në pjesën e dytë të këtij libri, Teoria e zhanrit gazetar, jepen shpjegime së pari për nocionin zhanër, se kur nisën të dallohen zhanret, se si u modernizuan mediet, se si zhvilloheshin ato, se cila gazetari shitej më shumë, se cila ishte më e besueshme.
Më shumë se në dy kapitujt e tjerë (të parin dhe të tretin), në këtë më shumë ka teori, pasi jepen mendime për zhanrin nga Karolinë Miller, Majkëll Hollidej, Cvetan Todorov, Anxhela Filips, Gjorgje Obradoviq, Daniel Shandler.
Kur citohen mendimet e tyre për zhanret, shkohet edhe përtej tyre, deri në kodifikimin e parë të zhanreve që bën Aristoteli në Retorikë, më vonë edhe në Poetikë. E këtu pikëtakohen letërsia me gazetarinë dhe ndërhyjnë Veleki e Voreni, Todorovi e Fraji, Milleri e Hollidej, duke dhënë karakteristika, katër të parët për zhanret e letërsisë, të fundit për ata të gazetarisë që i njohim që sa kohë, për disa të tjerë që i njohim e i shkruajmë shumë pak si, p.sh: fiçërin, portretin, reportazhin, nekrologjitë.
Ndër të tjera, në këtë kapitull mësohet jo vetëm si ti dallojmë zhanret e gazetarisë, por edhe si ti shkruajmë e ti analizojmë, se për çfarë karakterizohet njëri e për çka tjetri, se cilat figura janë më të pranishme në njërin e mungojnë në tjetrin, se cilat janë ato elemente që e bëjnë një fiçër të mirë, se çfarë duhet të përmbajë dhe çfarë strukture të ketë secili zhanër i gazetarisë, se çfarë gjuhe duhet përdorur në secilin prej tyre.
E në këtë kontekst, gjatë analizimit të tri zhanreve kryesore në gazetari: zhanrit informativ, analitik dhe publicistik (letrar), janë marrë shembuj të teksteve nga gazetat e përditshme kosovare, janë analizuar edhe disa nënzhanre (të quajtura ndryshe edhe nënlloje) të gazetarisë dhe zhanret e përziera.
Ndërkaq, në kapitullin e tretë dhe të fundit, Prirje tipologjike të gazetarisë, flitet për tipin më të ri të gazetarisë dhe më të zëshmin sot, gazetarinë digjitale.
Po ashtu, veçohen gazetaria e pavarur, gazetaria për dhe kundër qeverisë dhe gazetaria profesionale; gazetaria e lirë dhe e censuruar; gazetaria hetuese; gazetaria e saktë; shkruhet për bosët e medieve, ndikimin e tyre, mbikëqyrjen e medieve dhe mbijetesën e tyre; për fotogazetarinë; për gazetarinë globale etj.
E duke parë gjithë këtë shkuarje përpara të gazetarisë, e cila ua ka kaluar të gjitha arteve dhe shumicës së shkencave dhe është në qendër të vëmendjes më shumë se cilido profesion tjetër social, mund ta përfundojmë këtë recension po me konstatimin e profesor Kosumit:
Fatlumisht se gazetaria, përveçse është mjeshtri hulumtimi dhe shkrimi, është edhe mendim teorik, është shkencë e cila po i konsolidon disiplinat shkencore me të cilat shërbehet.
Po ashtu, ajo është edhe një shkencë akademike, një objekt studimi për studentët e gazetarisë dhe me këtë fakt, dilet përgjithnjë nga të kuptuarit të fakulteteve të gazetarisë si një farë shkolle e zanatlinjve.