Të rinjtë e Prishtinës njihen me trashëgiminë kulturore

Prishtinë, 27 janar - Mbi 30 pjesëmarrës, kryesisht të rinjë të moshës 16 deri 25 vjeç morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë ri-imagjinimi i trashëgimisë që u mbajt në njërin nga objektet e çmuara të trashëgimisë kulturore, bibliotekën kombëtare \"Pjetër Bogdani\" në Prishtinë.
Punëtoria u zhvillua në kuadër të projektit Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK) të implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian Kosovë (EUOK) ku pjesëmarrësit mësuan parimet bazë për konzervimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe patën rastin të ofrojnë zgjidhje vetanake inovative në këtë fushë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti hapi punëtorinë me ç[rast theksoi që fjala e tij do të përqëndrohet në të rinjtë dhe jo në politikë, parti ose fe pasiqë 50 përqind e popullsisë në Kosovë janë më të rinj se 25 vjeç, ndërsa 70 përqind më të rinj se 35 vjeç.
Z. Ahmeti theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore të Kosovës. Ai vuri në pah që Komuna e Prishtinës ballafaqohet me shumë sfida kur bëhet fjalë për objektet e trashëgimisë kulturore.
\"Komuna dhe institucionet do të duhej të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje më të mira për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ndonjëherë njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vendosin të ngrisin ndërtesa të reja në vend të tyre\".
I pranishëm në punëtori ishte edhe përfaqësuesi i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij në Kosovë (CHwB), Z. Alban Morina i cili prezantoi mënyrën e identifikimit dhe vënien në hartë të vendeve të trashëgimisë kulturore në Prishtinë.
Pjesa e dytë e punëtorisë vazhdoi me një kuiz lidhur me çka ndjejnë dhe si e shohin të rinjtë trashëgiminë kulturore. Përveç kësaj, pjesëmarrësit punuan në grupe dhe propozuan ide si të mbrohet dhe të promovohet trashëgimia kulturore me përfshirjen e të rinjve. Pas prezantimit u votua për propozimin më të mirë dhe fituese u shpall ideja që kishte të bëjë me ndryshimet që nevojiten të ndermirren për të ju mundësuar qytetarëve me aftësi të kufizuar qasja më e mirë në vendet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Krejt në fund, pjesëmarrësit vizituan Muzeun Etnologjik ku patën rastin ti shohin ekspozitat dhe mësuan historinë e muzeut.
Projekti Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK) përqëndrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe Njësinë për Siguri të ndërtesave dhe të Trashëgimisë Kulturore pranë Policisë së Kosovës. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin ndaj identitetit kulturor dhe të trashëgimisë.