01 Maj 2025

Spiunazhi është në modë

Moskë,8 mars - Dy vjet pas arrestimit të bujshëm në Nju Jork, Ana Çapman ka ndryshuar stilin e jetës. Agjentja sekrete më seksi e Rusisë tani i është kushtuar modës. Dhe ka hedhur në treg linjën e saj.

As një kukull porcelani nuk është dukur kurrë kaq sensuale. Lëkura e pastër, gati prej alabastre. Sytë paksa të afruar, por transparentw dhe të aftë të të përkëdhelin me shikim, si dora e një fëmije. E pas ëmbëlsisë, vjen pasioni. Ajo krifë flokësh të kuqe, e aftë të godasë dhe ta nënshtrojë çdo vëzhgues sado të ftohtë. Për të zbuluar maskimin e saj u desh të hynte në lojë FBI-ja, por ekziston diçka që nuk ka qenë kurrë sekret. Ana Çapman, spiunia ruse e arrestuar në Nju Jork më 27 qershor 2010 e pastaj e ekstraduar në Rusi, është e bukur edhe kur e sheh nga afër në tre dimensionet; dhe më e hijshme sesa në fotot e patinuara që njohim prej saj.

E kaluara e saj është intriguese, pas një serie të gjatë viktimash (të sensualitetit). Është e paharrueshme skena e Vjenës më 9 korrik 2010, me dhjetë spiunët rusë rezidentë në SHBA, ajo përfshirë, dhe katër spiunët amerikanë të kapur nga Moska, të këmbyer siç bëhej njëherë e një kohë në Checkpoint Charlie, në Murin e Berlinit. Por akoma dhe në atë grup individësh shumë të veçantë, Afërdita në miniaturë spikaste mes të tjerësh. Sa burra ka joshur? Kush i ndenji afër pas skandaleve? A i mungon SHBA-ja? Ku jeton realisht tani? Në fillim ajo lëshon vetëm një breshëri “no comment-esh”. Intervista ekskluzive që na mundësoi, mund të përfundonte si ajo e gazetarit të NBC-së, të cilin ajo e la në këmbë dhe iku, vetëm sepse e pyeti mbi propozimin e martesës me Eduard Snoudenin, “renegatin” e CIA-s dhe yllin e Datagate-it.

Por këtë herë Ana vendos ndryshe. Dhe fillon rrëfimin për Panoramën, me shprehjen, “në Moskë, ku jetoj aktualisht…”. Qetësia me të cilën rreh qepallat duket se ndjek ritmin sensual të mendimit të saj të ndërlikuar. Me çfarë merret tani? Në thelb, është bankiere, prezantuese televizive dhe biznesmene e vetvetes. E mendjes, më shumë sesa e trupit të saj. Shërbimet fotografike ishin vetëm një etapë. Dhe tani po shfrytëzon emrin si një markë për një linjë të re veshjesh. Me një fjalë, për të veshur atë kurm që çmendi kaq shumë meshkuj.

Ana Çapman ka një biografi të çuditshme dhe interesante. Lindi si Ana Vasiljevna Kushçjenko në Vollgograd, dhe sipas autoriteteve amerikane i ati ishte punonjës pranë ambasadës sovjetike në Najrobi, Kenia. Sipas ish bashkëshortit britanik të Çampanit, babai Vasilij ishte funksionar i lartë i KGB-së. Por ky informacion nuk është konfirmuar kurrë. E vërtetë që ç’ke me të, është nga ana tjetër jeta e Anës, që megjithëse shumicën e kohës ishte jashtë vendit, mbeti e lidhur me një fill çeliku me atdheun. Vendi dhe data e lindjes së saj, ngjajnë si shenja mistike ruse, të një fati të vulosur që më parë. Dhe të destineve të kryqëzuara.

Çapman punon për një institut financiar rus inicialet e të cilit, FSB, përkojnë rastësisht me ato të shërbimit sekret FSB, ish KGB-ja. Por në fakt nënkupton Fond Servis Bank, që merret me financime në sektorin aero-hapësinor. Në vitin 2010 u emërua këshilltare e presidentit të investimeve të bankës, pak muaj pas skandalit “Illegal Programs” që e deportoi nga SHBA-ja në Rusi. Por edhe pse nuk dëshiron të flasë për Shtetet e Bashkuara, herë pas here i shpëton ndonjë frazë, jo në rusisht, por në anglishten amerikane, si provë e të shkuarës së saj. Pyetjes nëse ka ndonjë dizajner që i pëlqen, ajo i përgjigjet: “I never was a fashion victim”. Nuk shmanget ndërkaq, kur vjen puna për të folur mbi joshjen dhe burrat.

-Pasi bëtë agjenten, vendosët të bëheshit stiliste. Është një pasion i lindur që fëmijë apo tani vonë?

Unë nuk jam fashioniste apo stiliste, dhe nuk jam e interesuar për këtë profesion. E sigurisht që nuk është kjo ëndrra ime. Në vend të kësaj, unë do të doja të ofroja teknologjinë, zbulimet shkencore, një biznes që mund t’u shpëtojë jetën miliona njerëzve, t’u japë lumturi familjeve. Të bëja të mundur që fëmijët të mos vdesin përpara prindërve, që njerëzit të rreshtin së vrari, të ndikojnë dhe shkatërrojnë popuj e kombe të tëra…Por le të kthehemi tek koleksioni im; në krijimin e tij, mendova për bukurinë e femrave. Jo vetëm ato ruse. E trajtoj me shumë kujdes femrën. Kam kërkuar të kuptoj nevojat e saj, jetën, ankthet e zemrës. Kam menduar para së gjithash, për ato që janë shumë më të thella sesa thjesht guacka e jashtme.

-Nënkuptoni që mendoni për “përmbajtjen”: Inteligjencën, karakteristikat kulturore e mendore?

Unë shoh që paradigma e modës po ndryshon, duke shuar kufijtë mes vendeve. Dhe janë në rritje ato tendenca që bazohen tek bindjet. Shoh që shtohen njerëzit që flasin për rreziqet e botës së konsumit. Gjithnjë e më shumë duan të japin ndihmë vullnetare, të mos e shtyjnë kohën nëpër bare e dyqane. Bota po ndryshon. Po shtohet numri i enteve bamirëse e kështu me rradhë. Sa i përket realizimit të modeleve dhe dizajneve, kam punësuar persona që e kanë ëndërruar këtë gjë gjithë jetën. Njerëz që e ndjejnë vokacionin e tyre dhe dinë të shprehin kreativitetin. Po punojmë paralelisht me shumë njerëz të talentuar. Por marka që kam iniciuar nuk është për tregun “premium”, ku dizajni ka një rëndësi madhore. Kam krijuar një markë për persona që kanë një botë të pasur shpirtërore dhe rreth tyre, një realitet që po ndryshon. Nëse ata kanë para tepër, le të mos e harxhojnë për rroba të shtrenjta por për të shpëtuar speciet në rrezik; për jetimët, të sëmurët me kancer apo të moshuarit e braktisur.

-Do t’ju pëlqente të merrnin pjesë në javët e modës në Milano apo Paris?

Do të doja t’ju rrëfeja se çfarë mrekullie fshihet në kulturën ruse. Unë jam e interesuar kryesisht që veshjet tona t’u pëlqejnë njohësve më të rëndësishëm të modës, në mënyrë që ata të kthehen tek ne si klientë… Sigurisht nuk është narcizizëm kur një krijues synon pasarelat e Perëndimit dhe titullin e “stilistit të madh”. Të paktën unë nuk e mendoj kështu punën time. Unë mendoj për ato femra që do besojnë tek unë dhe do të veshin rroba që mbajnë emrin tim.

-Koleksioni juaj i parë doli në shitje më 23 shkurt, ditëlindja juaj, dita e mbrojtësit të atdheut rus (kryeengjëllit Mihail) dhe dita e mbylljes së lojrave dimërore të Soçit. Një zgjedhje rastësore?

Jo, afërmendsh nuk është rastësi. Mbase dhe unë nuk kam lindur rastësisht atë ditë…

-Meqë jemi këtu, ju keni lindur në Vollgograd; si i përjetuat atentatet kamikaze të dhjetorit?

Janë njerëz që e kanë humbur mundësinë të përjetojnë gëzimin për këto ngjarje botërore sportive që bashkojnë gjithkënd. Dhe përdorin ngjarje të tilla për të goditur, në vend që të gëzojnë për arritjet e njerëzimit, të lehtësojnë shpirtin dhe të harrojnë, të paktën për pak kohë, politikën.

-Po thoshim se tani jetoni në Moskë. Çfarë ju pëlqen në kryeqytet, restorantet, dyqanet? Çfarë vendet preferoni më tepër?

Kam një vend të preferuar: Apartamentin e nënës sime. Është pastaj zyra ime, ku shkoj çdo ditë me entuziazëm të madh.

-Po Shën Pjetërburgu?

Aty është selia e bankës sime dhe fabrika që realizon çantat dhe kuletat e firmës sime, që ngjajnë si libra.

-Veshja a mund të jetë një armë sensuale? Apo e tillë mund të bëhet çdo rrobë, dhe pastaj varet nga femra se si e përdor?

Armët më të fuqishme joshëse janë vetëm dy: Intelekti dhe inteligjenca emocionale. Kam takuar shumë burra në jetë, por askush prej tyre nuk do të dashurohej me trupin, apo (më budallallëk akoma) me veshjen. E rëndësishme është të dish të jesh e ndryshme, ta surprizosh një burrë. Të rritesh përditë. Dhe kurrën e kurrës të mos humbasësh harmoninë e brendshme dhe besimin tek vetja.

-Është fakt që femrat ruse konsiderohen ndër më sensualet në botë. Ju personalisht ku e shihni armën tuaj të fortë? Tek fundet e çara? Tek bluzat e hapura? Apo tek veshjet që mbulojnë, por i lënë vend imagjinatës?

Nëse i sheh me vëmendje veshjet e mia, e kupton kollaj. Unë e vesh femrën me fund të gjatë, e pajis me një mini-çantë që ngjan me libër…

-E filluat si spiune dhe tani jeni stiliste. Çfarë kanë të përbashkët dy profesionet?

Është falë spiunazhit, që ju më keni njohur dhe po më intervistoni. Por karrierën e afaristes e kam nisur vite më parë. Dhe vazhdoj të bëj biznes edhe sot, duke e vënë veprimtarinë shoqërore në plan të dytë. Të gjitha zanatet kanë një bazë të njëjtë: Duhet të dish të mendosh, komunikosh dhe menaxhosh.


Jetë të dyfishta

Mata Hari e ditëve tona

Ana Çapman lindi Ana Vasiljevna Kushçjenko në Vollgograd (ish Stalingrad) më 23 shkurt 1982. U ndalua nga FBI në Manhatan në vitin 2010, duke u shndërruar në personazh kryesor të kronikave ndërkombëtare.


Maskimi njujorkez

Profesioni i saj zyrtar në Nju Jork ishte agjente pasurish të patundshme, një aktivitet frydhënës me 2 milionë dollarë të ardhura në vit (dyshohet si i financuar). Në realitet ishte një spiune ruse që i raportonte Moskës çdo të mërkurë.


Këmbimi i spiunëve

Për Departamentin amerikan të Drejtësisë, Ana ishte pjesë e një rrjeti spiunësh “të fjetur” rusë. Hetimi i FBI-së kulmoi me arrestimin e 10 agjentëve, që pasoi me këmbim spiunësh mes Rusisë dhe SHBA-së më 9 korrik 2010 në Vjenë.


Si u zbulua

E afruar nga një spiun fals që i thoshte se vinte nga konsullata ruse, asaj iu propozua të kryente një transferim dokumentesh false drejt një tjetër agjenti të maskuar. Që në fakt ishte po ashtu njeri i FBI-së.


Mbiemri britanik

Në një rave party në Londër në 2001-in, Ana takoi Aleks Çapmanin, bir i një afaristi britanik. Pak më vonë u martuan në Moskë. Divorci erdhi në 2006-ën. Më 2 korrik 2010 Aleksi dha disa deklarata të forta në shtypin britanik.


Jeta e re ruse dhe Twitter-i

Në Rusia, Ana Çapman iu rikthye biznesit, përveç drejtimit të një gazete biznesi dhe prezantimit të një emisioni në Ren Tv. Asnjë lajm nuk del për jetën e saj personale, me përjashtim të një rreshti domethënës në Twitter, të këmbyer me Eduard Snoudenin. Ish agjenti i CIA-s thuhet se paskësh pranuar propozimin e Anës për martesë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)