Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë

Prishtinë, 12 gusht - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS), Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Këshilli Qendror i Veprimit Rinor i Kosovës, sot organizojn konferencën "Pjesëmarrja dhe Aktivizimi i Rinisë në Kosovë, që ka për qëllim shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Në këtë konferencë do të flasin Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger.
Konferenca ka për qëllim të grumbullojë palët e interesuara që punojnë në çështjet e të rinjve për të diskutuar pjesëmarrjen e rinisë në vendimmarrje dhe aktivizmin rinor në Kosovë.
Në konferencë do të diskutohen të arriturat e viteve paraprake si dhe zbatimin i Strategjisë kosovare dhe planit të veprimit për rini.
Pjesëmarrësit e konferencës do të përfshijnë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, një gamë e gjerë e zyrtarëve komunalë nga komunat e Kosovës, organizatat ndërkombëtare si OSBE, USAID, Forum Syd, UNDP, UNICEF, Banka Botërore, nga shoqëria civile dhe mediat. Përveç kësaj, në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e këshillit të veprimit rinor qendrore dhe këshillat rinore lokale nga e gjithë Kosova.