21 Prill 2025

“Sofija” bëhet nervoz me “studentin” dhe “kryeministrin”

Prishtinë, 5 janar -  Adnan Blaku, aktor dhe humorist, i cili në emisionin “ODEON” luan rolin e “Sofijes”, ka thënë se kurrë nuk i ka shkuar në mendje që një ditë do ta luajë rolin e një gruaje.


 “Nuk kam menduar se do ta luaj rolin e një gruaje. Një rol i tillë vjen ashtu papritmas, të befason edhe ty nganjëherë si aktor i humorit. Unë për rolin e Sofijes nuk jam inspiruar te ndonjë person që jeton, qoftë në lagjen time, apo diku tjetër, por thjesht e kam menduar një plakë qysh mundet më kanë e dashur për të gjithë, një plakë që nuk e lënë askënd të flas dhe që i di të gjitha gjërat vetë”, ka thënë Blaku në këtë intervistë për “Epokën e re”.


Duke folur për dy kolegët e tij, Halim Berishën - “kryeministrin” dhe Eqrem Berishën - “studentin”, ka thënë se që të dytë e bëjnë nervoz. “Të dytë më bëjnë nervoz. (Qesh).

‘Studenti’ më bën nervoz sepse s’po çohet në protesta për disa sende që po i bën ‘kryeministri’. Edhe ‘kryeministri’ po më bën nervoz sepse s’po i liron semestrat për ‘studentin’”, ka thënë ai duke qeshur.
Blaku, përveç aktrimit, ka bërë me dije se mban edhe një emision në një radio në Besianë.

“Çdo javë e kam edhe një emision në radio në qytetin tim. Edhe aty më merr kohë që punoj dhe mundohem sadopak edhe qytetarëve të mi në Besianë t’ju jap diçka nga vetja”, ka deklaruar Blaku.

“Epoka e Re”: “Sofije”, e vlerësoni të suksesshëm vitin 2013 në rrafshin profesional? Ka qenë sfidues për ju viti që po e lëmë pas?
Blaku: Vitin 2013 e vlerësoj të suksesshëm. Këtë sukses e kemi arritur falë punës së madhe që e kemi bërë çdo të shtunë në emisionin “ODEON”, i cili na ka dhënë një shtytje të mirë për të pasur sukses.

Me këtë rast i falënderoj dy miqtë e mi, dy artistët që i njohin të gjithë, Naim Abazim dhe Mihrije Brahën, që janë njerëzit që na përkrahin shumë. Kështu që vitin që po e lëmë pas e shoh të mirë në anën profesionale.

“Epoka e re”: Nga kush jeni inspiruar për rolin e “Sofijes”?
Blaku: Nuk kam menduar se do ta luaj rolin e një gruaje. Një rol i tillë vjen ose rivjen ashtu papritmas, të befason edhe ty nganjëherë si aktor i humorit.

Unë për rolin e “Sofijes” nuk jam inspiruar të ndonjë person që jeton qoftë në lagjen time apo diku tjetër, por thjesht e kam menduar një plakë qysh mundet më kanë e dashur për të gjithë, një plakë që nuk e lë askënd të flasë dhe që i di të gjitha gjërat vetë. Këtë rol për herë të parë e kam luajtur në emisionin e njohur “Përrallë me tupan” dhe është pëlqyer nga publiku. Tash e disa vite ky rol veç është i njohur dhe ka një dashuri të madhe te populli në përgjithësi.

“Epoka e re”: A ia ke pa hairin vitit 2013?
Blaku: Vitit 2013 ia kam parë hairin sepse ma ka shlyer vitin 2012 se egjel mu pat bërë. (Qesh). Viti 2013 në përgjithësi ka qenë i mirë. Kështu që, po e quaj si vit me hair. Dashtë Zoti që edhe vitet që do të vijnë të jenë kështu për mua dhe jo vetëm kaq!

“Epoka e re”: Kush të ka bërë më së shumti nervoz gjatë vitit që po e lëmë pas, “kryeministri” apo “studenti”?
Blaku: Të dytë më bëjnë nervoz. “Studenti” më bën nervoz sepse s’po çohet në protesta për disa sende që po i bën “kryeministri”. Edhe “kryeministri” po më bën nervoz sepse s’po i liron semestrat për “studentin”. (Qesh). Këta të dy janë personat që harxhoj jetë më së shumti me ta. Janë shokë shumë të mirë dhe nuk lejojnë vend për nervozë, edhe pse gjatë orarit të punës përlahemi për ta nxjerrë më të mirën, por prapë shoqëria dhe harmonia që kemi mbetet aty ku është.

“Epoka e re”: Përpos aktrimit, me çfarë merreni?
Blaku: Çdo javë e kam edhe një emision në radio në qytetin tim, Besianë. Edhe aty më merr kohë që punoj dhe mundohem sadopak edhe qytetarëve të mi t’ju jap diçka nga vetja.

“Epoka e re”: Çfarë planesh keni për vitin 2014?
Blaku: Ne veç jemi në emision “ODEON”. Aty do të mundohemi të sjellim çdo javë një frymë të humorit të pëlqyer nga publiku. I kemi edhe disa plane, të cilat besoj më mirë të mbesin befasi për publikun. Ne do të punojmë dhe do t’ia afrojmë popullit më të mirën. Edhe juve si gazetë ju përshëndes sepse po na afroni me publikun edhe nëpërmjet shkrimit. Po ashtu, faleminderit që po na jepni mundësi t’i falënderojmë për përkrahjen e tyre se ne pa popull jemi hiç. I dua të gjithë për shumë dashuri që na afrojnë. Dashuria e tyre na jep shumë mundësi për suksese. Faleminderit shumë dhe inshallah “kamën e hairit viti 2013, o hej”!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)