28 Mars 2024

Skandali i radhës i Hajrulla Çekut: Si u ndanë çmimet e teatrit nga juria

Prishtinë, 5 prill - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me Hajrulla Çekun, kanë ndarë çmimet për teatrin, në ditën botërore të tij.

Mirëpo, kjo ndarje çmimesh kësaj radhe u përfshi me disa skandale të kësaj ministrie, pasi, juria nuk ishte fare profesionale dhe e fushës së teatrit, por, mbi të gjitha, ishte e përbërë prej militantë e anëtarë të VV-së, duke ndarë edhe çmime me konflikt interesi.

Syri.net Kosova sjell më poshtë lidhjet që anëtarët e jurisë (s)i kanë me teatrin, por, i kanë me Albin Kurtin.

Partia e Albin Kurtit i ka akuzuar të tjerët për politizim të artit e kulturës, por vetë po ia bën edhe më zi.

Me 27 mars të muajit të kaluar, në Ditën Botërore të Teatrit, MKRS ndau çmimet vjetore në fushën e teatrit 2021.

Mirëpo, kjo ceremoni kaloi me disa probleme, të cilat kanë bërë një përzierje mes dy fushave, artit dhe politikës, përkatësisht përfshirjes së interesave politike.

Kjo se, juria që ndau e vlerësoi veprat artistike për çmime, ishte e përbërë prej një grupi jo adekuat dhe me militantë të VV-së, parti kjo që në krye me Hajrulla Çekun, drejtojnë MKRS-në.

E, kush ishin anëtarët e jurisë dhe çfarë lidhje kanë ata me Vetëvendosjen e Albin Kurtit?

Kryetarja e jurisë vlerësuese ishte Majlinda Bregasi,  një letrare shqiptare, e cila shumicën e kohës e kalon në Itali.

E pyetur nga Syri.net Kosova, se a i ka parë ajo shfaqjet, në mënyrë që t’i bëj vlerësimet e duhura, Bregasi nuk ka dashur fare të prononcohet, duke e lënë në pikëpyetje të madhe këtë pjesë. Duke qenë se është përkrahëse e partisë së Albin Kurtit, autorja ndonëse nuk ka lidhje fare me teatër, i ka mjaftuar fakti të jetë simpatizuese ndaj VV-së, që të marr këtë përgjegjësi.

Kushtrim Mehmeti ka qenë një nga anëtarët e kësaj jurie vlerësuese, por, në fakt, kush është Kushtrimi? Nëse hyjmë në rrjetin e tij social në Facebook, vërejmë statuse, si këta më poshtë, ku Mehmeti ka një dashuri të madhe për VV-në, e Albin Kurtin, madje, në statuset e tij ai referohet si pjesë e VV-së, duke thënë “na lini të punojmë”. Pra, një militant i VV-së,  në jurinë vlerësuese për shfaqjet teatrore!

Madje, Mehmeti çmimin për shfaqjen më të mirë ia ka dhënë shfaqjes ‘+18’ që është pjesë e Teatrit të Gjakovës, aty ku punon vet, duke shkaktuar kështu konflikt interesi!

Anëtar tjetër i jurisë ka qenë edhe Afrim Spahiu, i cili me profesion është fotograf, duke mos pasur kështu fare lidhje me teatrin dhe me syrin kritikues e vlerësues për shfaqjet, ashtu siç do vlerësonte një kritik profesionist dhe i mirëfilltë.

Pjesë e jurisë ka qenë edhe aktorja Vlora Merovci-Berisha e cila për publikun shqiptar u bë me rolin e ‘Almës’ në serialin ‘Familja Moderne’. Vlora është e martuar me vokalistin e grupit ‘Troja’, Bujar Berishën, i cili ka aderuar dhe është fans i flaktë i Vetëvendosjes, duke lënë të nënkuptohet se edhe përzgjedhja e Merovcit si pjesë e këtij kasti gjykues për ndarjen e këtyre çmimeve, ka qenë me ngjyrim politik, saktësisht partiak!

Duke mos mjaftuar me kaq, burime të Syrit bëjnë me dije që Majlinda Bregasi dhe Vlora Merovci pritet të emërohen në bord të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke bërë kështu që të kapet edhe ky bord nga VV.

Nga ana tjetër, Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për t’i pyetur se në çfarë baza është krijuar kjo juri vlerësuese, e në përgjigjen e dhënë, ata i janë referuar rregullores për ndarjen e çmimeve në teatër, të nënshkruar nga Memli Krasniqi, kur ka qenë ministër i MKRS-së, duke hedhur edhe kësaj radhe barrën siç bën Vetëvendosje mbi “qeveritë e kaluara”.

Kurse, në pyetjen e Syrit për procesverbalet e konkursit për kandidatët e këtyre çmimeve, si janë vendosur pikët, ministria në fjalë nuk ka kthyer përgjigje të detajuar, ashtu siç iu kërkua, duke dërguar vetëm disa vlerësime gjenerale, për çmimet e dhuruara.

Po ashtu, MKRS nuk e ka dërguar as listën e kandidatëve që kanë konkurruar për këto çmime, as një javë pasi janë pyetur nga Syri.

Nga ana tjetër, kjo juri nuk ndau çmimin për regjinë më të mirë, me arsyen se në konkurs mori pjesë vetëm një regjisor.

“Gjatë vitit që lamë pas teatrot prodhuan një numër të madh të shfaqjeve, kishte cilësi dhe risi në secilën prej tyre. Fatkeqësisht nominimet e ofruara për çmimin “Regjia më e mirë" ishin vetëm për një regjisor. Pra u gjendëm në një situatë ku nuk ka konkurrent. Dhe aty ku nuk ka garë, nuk mund të ketë fitues. Ndaj me keqardhje juria vlerësoi qe ky çmim nuk mund të ndahet për këtë vit” thuhet në arsyetimin e jurisë.

Veprimi i jurisë,të krijon përshtyjen se ka të bëjë me një tender ku vetëm një ofertë është bërë, por ky është nkë çmim artistik që motivon profesionistët e teatrit, e që nuk janë pak e me suksese në këtë fushë.

Kjo nuk është hera e parë që ministria e Hajrullah Çekut, por, edhe dikasteret tjera në krye me Albin Kurtin, janë duke u akuzuar për punësime partiake, duke bërë kështu “çkapjen” e shtetit duke punësuar militantë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje!

SYRI.net

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)