21 Prill 2025

Shqipëria dhe Kosova ndërtojnë një të ardhme më të ndritur

Prishtinë, 18 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim homologun nga Republika e Shqipërisë, Ministrin, Visar Zhiti. Vizita e tij zhvillohet me rastin e hapjes së ekspozitës së përbashkët Kosovë – Shqipëri në Muzeun e Kosovës e ku do të prezantohen artefakte arkeologjike të periudha të ndryshme, nën emrin ‘Një Komb, Një Kulturë’.

Ministri Krasniqi tha se Kosova dhe Shqipëria janë një model shembull i bashkëpunimit në shumë fusha, e veçanërisht në kulturë dhe trashëgimi, aspekte këto që rrëfejnë një histori për kombin shqiptar.

“Gjithmonë objektiv i bashkëpunimit tonë, ka qenë forcimi i lidhjes mes dy vendeve tona, promovimit, ruajtjes të kulturës dhe traditës sonë. Ka shumë aspekte ku ne kemi krijuar traditë të aktiviteteve të përbashkëta, qoftë në teatër, film, libër, muzikë dhe trashëgimi.\"

\"Në këtë rrafsh është edhe hapja e ekspozitës së kulturës materiale në Muzeun e Kosovës, nën emrin ‘Një Komb, Një Kulturë’, që po hapet për herë të parë në Kosovë, e që përben do të thosha një prej punëve më të mira të përbashkëta që kemi bërë, por unë besoj se kjo është veç një nisje e projekteve tona të mëdha për të ardhmen”, ka thënë Ministri Krasniqi, teksa ka vlerësuar personalitetin e Zhitit dhe kontributin e tij që ka dhënë për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare nëpër vite, në karrierën e tij si shkrimtar.

Ministri Krasniqi shprehi përkushtimin që bashkëpunimi mes dy vendeve të shkojë gjithnjë në rritje, duke theksuar këtu potencialin e madh që është tek të rinjtë, qoftë për artë dhe kulturë.

“Ajo çka ne synojmë dhe padyshim ka qenë dhe mbetet një qëllim i të dy vendeve tona, si një komb, që të kemi hapa shumë më konkret bashkëpunimi, një agjendë me të qartë të veprimeve tona dhe gjithnjë duke pasur një koordinim”, tha ai në konferencën për shtyp pas takimit.

Nga ana e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti ka shprehur falënderime për bashkëpunimin e plotë që MKRS ka ofruar në iniciativat e përbashkëta në të dy vendet.

“Ne edhe në bisedën e përbashkët, thamë që nuk jemi për të përgjysmuar kulturën, por duke qenë një kulturë me dy ministra me dy ministri, me dy qeveri, është si të thuash do të dyfishojmë energjitë tona për të arritur tek ëndrra, për të arritur tek dëshira, për të arritur tek e ardhmja, projektet e përbashkëta.\"

\"Realizimet e përbashkëta janë vërtetë ngazëllyese por kanë dhënë frytet e tyre. Jo vetëm një abetare të përbashkët, por do të kemi edhe qendrat e kulturës nëpër botë të përbashkëta, ashtu si shtëpitë e përbashkëta tona që kanë një histori tonë të përbashkët, me investime të përbashkëta po restaurohet për t’ju kthyer historisë, për t’ju kthyer ndërgjegjes tonë kombëtare”, deklaroi ai, duke shtuar se duke ruajtur kulturën dhe traditën, të dy vendet por mbi të gjitha kombi shqiptar do të ketë një ardhme më të ndritur.

Ekspozita e trashëgimisë së kulturës materiale “Një Komb, Një Kulturë” është përgatitur në bashkëpunim me Institutin për Monumente të Kulturës së Shqipërisë dhe Muzeut të Kosovës. Ajo mbahet nën patorantin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqit dhe homologut të tij nga Shqipëria, Visar Zhiti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)