Shpallet fituesi i Memorialit Heroinat


Prishtinë, 13 nëntor - Me vendimin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe me rekomandim të komisionit për vlerësimin e ideve për memorialin për nderimin e kontributit të gruas gjatë luftës 1998-1999, fitues i këtij memoriali është shpallur Molos Group Ilir Blakqori.
Me votim unanim, projekt idea e Molos group ka marrë votat e të gjithë anëtarëve të komisionit. Vendin e dytë e ka zënë artisti nga Shqipëria, Vladimir Multezari, ndërkaq në vendin e tretë, skulptori Luan Mulliqi.
Fituesi, në përshkrimin e skulpturës së tij ka shpjeguar se skulptura është zbërthyer në një koncept të dyfishtë. Në perspektivën makro, kjo skulpturë, gjatë ditës me efekte natyrale të dritësdo të krijojë hije të ndryshme në portret, nga efekti i shufrave me gjatësi të ndryshme.
Kurse, nga afër, do të shihet reprezentimi në mënyrë individuale me portretin mikro në secilën shufër, që jep mesazhin se pas kësaj femre kosovare, qëndron cdo gjyshe, nënë, studente e vajzë.
Në pamje të përgjithshme, në skulpturë shihet një portret e butë i femrës, i krijuar nga 20 mijë shufra të hekurit. Ky numër gjithashtu simbolizon në mënyrë figurative gjithë femrat kosovare që sakrifikuan në mënyra të ndryshme për vendin.
Edhe pse fillimisht lokacioni i memorialit është paraparë në sheshin Zahir Pajaziti, ky vendim ka ndryshuar dhe memoriali për nderimi e kontributit të gruas do të vendoset në parkun e ri të qytetit, përballe Pallatit të Rinisë.