23 Dhjetor 2024

Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare

Prishtinë, 10 nëntor - Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është mbajtur Akademia Përkujtimore për Heroinën e Kombit, Shotë Galica, në nëntëdhjetë vjetorin e vdekjes së saj.

Presidenti Thaçi ka thënë se jashtë dekretimit formal, Shotë Galica është shndërruar në metaforë të Heroinës së Kombit, në simbol të qëndresës dhe trimërisë.

Ai ka thënë se në një periudhë gati dhjetëvjeçare, strumbullari i kryengritjes kundër vendosjes së pushtetit ushtarak dhe policor serb ishte çeta e Azem Bejtës dhe Shotë Galicës.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk ishte e rastit konsiderata e lartë e ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina, për komandantin e çetave kryengritëse të asaj kohe, Azem Bejtën.

“Nuk janë të paktë as bashkëluftëtarët e Azem Bejtës, të rryer e të regjur në beteja dhe kryengritje të koordinuara si ajo e vitit 1919, por mbi të gjitha është fenomen unikat profili i luftëtares së shquar Qerime Halili - Shotë Galica, bashkëshorte dhe bashkëluftëtare e prijësit të madh, Azem Galica”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Shotë Galica asnjë ditë nuk iu nda formacionit luftarak.

“Ajo përballoi rrethimet, mori pjesë në sulme, ndihmoi popullatën e dobët në tërheqje, ndihmoi bashkëluftëtarët e plagosur, tërhoqi fëmijët jetimë në Shqipëri, u rikthye në Kosovë nga veriu i Shqipërisë sa e sa herë kishte nevojë vazhdimi i kryengritjeve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Edhe pas vrasjes së komandantit Azem Bejta, presidenti Thaçi tha se Shotë Galica për tri vjet me radhë nuk e rreshti veprimtarinë e saj kryengritëse me bashkëluftëtarët e çetave, deri atëherë kur ishte e pamundur rezistenca.
 
I pari i vendit tha se vdekja e Shotë Galicës përkufizohet me fatin e heroit tragjik, një fund jo i rrallë i figurave të mëdha, që përkundër përmasave vigane, jetën e përfundojnë padrejtësisht në mjerim social dhe ekonomik, pa fajin e tyre.

“Përkundër fundit tragjik, Shotë Galica u shndërrua në simbol të gruas besnike ndaj atdheut, të heroinës që lufton për liri, të luftëtares së gatshme për sakrificë. Shotë Galica u bë simbol i kontributit të heroinave të heshtura të kombit, të nënave, bijave, vajzave dhe grave që në çdo periudhë historike përballuan të mirën dhe të keqen krahas familjes dhe kombit. Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare."

"Është simbol i nënave, grave dhe motrave që gatuan, ushqyen, pastruan dhe shëruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kudo në Kosovë e më gjerë. Shotë Galica është simbol i nënës shqiptare, i asaj nëne që lindi Shotë Galicën, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Xhevë Lladrovcin dhe shumë e shumë luftëtarë e luftëtare, dëshmorë, heronj e heroina që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit tha se konteksti historik i Kosovës së mbetur jashtë Shqipërisë së Pavarur më 1912 ishte mjaft i ndërlikuar dhe tragjik.

Ai tha se i mbetet historiografisë shqiptare që të regjistrojë dhe sistemojë historinë e dhimbshme të dhunës që u ushtrua nga pushtimet e egra gjatë luftërave ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur mbretëria serbe po vinte dhunshëm në jetë pushtetin për sundimin e Kosovës.

Këto veprime të dhunshme dhe sistematike, sipas presidentit Thaçi, bënë që populli shqiptar i Kosovës nga gjiri i tij të nxjerrë luftëtarë dhe kryengritës, të cilët nuk pajtoheshin në asnjë moment me copëtimin e trojeve etnike, me shkombëtarizimin, asimilimin, shpërnguljen dhe mohimin e të drejtave bazike njerëzore.

“Kryengritësit shqiptarë nuk ishin thjesht rebelë, komitë apo kaçakë, por ishin luftëtarë të vetëdijshëm për realizimin e të drejtave natyrore për jetë, për jetë të lirë, për të drejta kombëtare dhe politike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se kryengritësit e çetave të Kosovës ishin të lidhur me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër, që përbëhej nga ideologë e ideatorë të Pavarësisë së Shqipërisë, nga figura të shquara si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Bedri Pejani etj., të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me sundimin serb të Kosovës dhe ndarjen e saj nga Shqipëria.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 90 vjetorin e vdekjes së Shotë Galicës ka themeluar urdhrin “Shotë Galica”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)