22 Prill 2025

S’është dashtë të ndahen sepse...

Shkruar nga Berat Armagedoni 


S’kam qejf të shkruaj shpesh letra të hapura por, duket se, kur s’merremi vesh me miq derisa pimë kafe e bëjmë llafe, disa gjëra më mirë është të thuhen publikisht, se kështu edhe arrihet efekti i dëshirueshëm. Realisht, këtë letër kam dashur t’ia dërgoj tinëzisht së pari Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, anëtarëve të tij (të cilët nuk e dinë gjendjen e BKK-së, se nuk e kanë vizituar as dhjetë për qind këtë objekt, përpos kryetarit të tij), së dyti drejtorit të tashëm të saj, z. Bedri Zyberaj.

Por, pasi asnjëri prej këtyre nuk janë në gjendje t’i plotësojnë jo këto dëshirat e mia, por kërkesat e nevojshme për institucionin ku punoj, se nuk kanë para, atëherë zgjodha ta bëj publik këtë vështrim, duke i njoftuar me këtë rast, edhe duke u bërë kërkesë individuale, kryeministrit, ende në detyrë, Hashim Thaçit, por edhe ministrit të Kulturës në largim, Memli Krasniqit, të cilëve u kërkoj, pra, qoftë këtyre dyve, qoftë kryeministrit e ministrit të ardhshëm të Kulturës, intervenim të menjëhershëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

E di që ata mund të presin derisa të bëhet qeveria e re, por BKK-ja s’është në gjendje të presë më, se është në gjendje të keqe, se ka nevojë për dorën e tyre, për dorën e djathtë të shtetit, për investime të mëdha. Prandaj, në këtë kohë, më parë sesa kryeministrin e ministrin, edhe qeverinë, do ta ruaja librin, varrezën masive të kujtesës e të kulturës së shqiptarëve: BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË KOSOVËS

Biblioteka Universitare vitin e kaluar, konkretisht më 15.04.2013, është ndarë nga ajo Kombëtare, pas një (mos)marrëveshje, i quajtur memorandum mirëkuptimi, lidhur ndërmjet ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, atij të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Ibrahim Gashi, ish-drejtorit të BKUK-së, Sali Bashota si dhe zëvendësministrit të Financave, Ramadan Avdiu.

Por, biblioteka e parë, ajo Universitare, pas ndarjes nga e dyta, është emërtuar Biblioteka Qendrore Universitare.

E dyta, ajo Kombëtare, përpos përcaktuesve Kombëtare dhe e Kosovës, ka marrë edhe një epitet tjetër, “Pjetër Bogdani”, i cili ka qenë i panevojshëm t’i shtohet, pasi mbi kombin e as pas tij s’mund të jetë asnjë personalitet, absolutisht as ish-prifti Pjetër Bogdani në krye të këtij tempulli të shenjtë dhe të shtrenjtë. Dmth., Biblioteka Kombëtare s’është dashur të emërohet Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” siç emërohen sot shkollat fillore e të mesme me emra dëshmorësh e rrugët e qyteteve me emra heronjsh.

Madje as Biblioteka Universitare e Kosovës s’është dashur të ndahet nga ajo Kombëtare. Kushdo që e ka bërë këtë propozim e kushdo që e ka marrë këtë vendim, e ka bërë dhe e ka marrë gabim, pa menduar mirë, për shumë arsye. Dhe ja disa prej tyre:

Së pari, se jemi larg prej vendeve të tjera të cilat e kanë ndarë shapin prej sheqeri. Pra, jemi ngut, por edhe jemi përmut. Çka do të thotë se, as nuk kemi para për këtë luks të ndarjes së objekteve e të fondeve të librave, por as para për objekte të reja kur të vjetrat i kemi ‘kërrsh’;

Së dyti, se sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” s’i ka ata lexuesit që i kishte pas vitit 2000 deri në 2007-n, kur prisnin jashtë saj rreth dy orë për ta zënë një vend për lexim brenda saj, pasi ishte e ngarkuar me lexues, për shkak se atëkohë fakultetet nuk kishin salla për lexim, as bibliotekat që i kanë sot, as literaturën që e kanë sot;

Së treti, se sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e ka gjendjen më të keqe sesa e kishte para 14 vjetësh, pasi ka rrjet të vjetruar të kanalizimit, rrjet të stërvjetruar të gypave të ujit, të cilët shpërthejnë shpeshherë dhe i bëjnë dëme edhe librit, edhe të gjitha koleksioneve e materialeve bibliotekare, por edhe objektit;

Së katërti, se sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nevojë për studentë më shumë, për studiues, për dashamirë të librit e të kulturës e për aktivitete të ndryshme e të shumta kulturore, jo vetëm për dy konferenca që i organizon brenda 365 ditëve, njërën pesë, tjetrën tri ditë; 


Së pesti, se sot Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” nuk i mjaftojnë pak mbi 500 000 mijë euro buxhet që i ndahen nga Ministria e Kulturës, pasi në gjithë këtë shumë përfshihen:

(pagat për rreth 100 punonjësit e saj, për shpenzimet e mirëmbajtjes së objektit (higjienës, renovimet e ndryshme dhe të shpeshta), rrymës, ujit, internetit, telefonave, botimit të katër numrave të revistës “Biblioletra” brenda vitit, të fletëpalosjeve, katalogëve, bilbordeve me rastin e dy konferencave shkencore që organizon brenda një viti, shpenzimet marramendëse vjetore për mirëmbajtjen e ‘Aleph’-it, shtypjes së kalendarëve, fletoreve, inventarizimit të zyrave, botimeve të dorëshkrimeve të ndryshme në libërlidhtore (veçanërisht shtypit ditor),

blerjes së librave të rinj, të vjetër e të rrallë) e shumë shpenzime të tjera që, pasi nuk jam auditor i brendshëm e as i jashtëm i saj, edhe s’mund t’i mbaj mend e as t’i përmend një nga një, por po i kujtoj kalimthi dhe po theksoj edhe një herë se këtij institucioni i duhet katërfishim i buxhetit, pa përfshirë në këtë ankesë publike edhe këto kërkesa emergjente:

Nëse jo sot, patjetër në këtë vit Ministria e Kulturës, bashkë me atë të Financave, duhet të ndajnë një shumë të lartë të parave për investime emergjente në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e cila ka filluar punën para 32-vjetësh (ka nisur punën në vitin 1982) dhe prej atëherë, përpos kupolave që janë ndërruar, s’është bërë asnjë investim kapital.

Me këtë rast po përmend disa prej investimeve të menjëhershme që duhet të bëhen, të cilat rrezikojnë librin nga dëmtimi prej ujit, zjarrit, mykut, insekteve... Pra, duhen bërë (s’jam as inxhinier, as arkitekt, por vështrues i këtyre problemeve): investime në rrjetin e kanalizimit (ndërrimi i të gjithë gypave të kanalizimit); investime në rrjetin e ujësjellësit (shumë libra janë dëmtuar pas krisjes së gypave dhe mund të vazhdojnë të dëmtohen edhe më tutje pas krisjes së gypave të tjerë, pasi ata janë salduar, por nuk janë ndërruar, rrjedhin edhe sot.

Dmth. rreziku është i pranishëm dhe i frikshëm); izolimi i brendshëm dhe i jashtëm i katit ku gjendet etazhi teknik dhe i dy kateve nëntokë të, tashmë “Pjetër Bogdani”-t,

pasi pas çdo të reshure 24-orëshe uji depërton në depot e librit dhe bën dëme të jashtëzakonshme, bën kërdinë; renovimi i nevojtoreve (wc-ve); instalimi i tërësishëm i rrjetit elektrik, pasi shumë kabllo elektrike janë vjetruar dhe nuk e kanë mundësinë e ballafaqimit të presionit me ngarkesën e mjeteve elektronike (mjafton të kujtojmë me këtë rast djegien e bufesë së këtij institucioni para një viti,

kryesisht për shkak të instalimit shumë të vjetër dhe kabllove të dëmtuara të energjisë elektrike, për të cilën ka edhe foto të jashtëzakonshme, të cilat në ndonjë konkurs të fotografive mund ta marrin çmimin e parë, ani pse është çmim i dhënë për fotografi të realizuara në fatkeqësi, e cila nuk është bërë publike kurrë se si ka ndodhur); sanimi i disa kupolave të thyera e të dëmtuara; meremetimi dhe izolimi i tërësishëm i pllakës së betonit në kulmin e saj (pasi uji rrjedh dhe bie edhe mbi banka, edhe mbi libra, edhe mbi koka të lexuesve, edhe mbi kabllo elektrike të shpaluara.

Është absurde gjendja edhe në amfiteatrot e saj, saqë njeriu duhet ta çelë çadrën kur është brenda, pasi edhe aty pikë uji e mund të bjerë mbi kokë derisa është duke e përcjellë një përurim të librit, prandaj në të dy amfiteatrot duhet investim); fasadimi i jashtëm i gjithë objektit (në shumë vende muri i jashtëm është mykur, në pak vende edhe muret e brendshme, sidomos të dy kateve nën tokë); lyerja e gjithë objektit të brendshëm; renovimi i transporterit të librit; renovimi i disa pajisjeve teknike për digjitalizimin e librave, të cilat me pak para mund të kthehen në përdorim;

Renovimi i bufesë; shtrimi me kubëza ose gurë të vegjël i gjithë hapësirës përreth oborrit të bibliotekës (të hiqen rrasat e Gllarevës, të dëmtuara (thyera) pothuajse të gjitha, të zëvendësohen me kubëza guri me trashësi rreth 10 cm po të Gllarevës, pasi kështu ruhet e pasqyrohet përreth këtij objekti edhe trashëgimia materiale e Kosovës.

Për rregullimin e oborrit të Bibliotekës Kombëtare mjete financiare duhet të ndajë edhe Komuna e Prishtinës, pasi një pjesë e vizitorëve vendorë dhe të huaj hapësirën përreth saj e kanë edhe si kopsht, çerdhe, vend turistik);

lyerja po me ngjyrë të bronztë e “skeleve të bibliotekës”; ndriçimi i jashtëm i saj (shumë reflektorë janë thyer nga persona të pandërgjegjshëm para instalimit të kamerave përreth objektit të bibliotekës); hapja e një parkingu për vetura për punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, ashtu siç e ka sot Fakulteti i Edukimit, i cili ia ka zënë tokën Bibliotekës Kombëtare) e shumë investime të tjera, të cilat është e pamundshme të kryhen për një vit, por mund të kryhen për dy-tre vjet.

Ndërkaq, gdhendja e një shtatore ose busti të Pjetër Bogdanit, mbase edhe rivënia e një fontane tjetër aty ku ajo e vjetra nuk është më, ose blerja e një veture të re, pasi ajo e vjetra mezi ndez gjatë dimrit, janë lukse të tepruara kur kjo bibliotekë i ka nevojat emergjente të përmendura më lart. Luks i tepruar duket sot edhe kërkesa për paga më të larta për punonjësit profesionalë të saj, të cilët s’duhet të konsiderohen shërbyes civilë.

Kështu që, ai ministër që ka kujdes për librin, (Krasniqi sigurisht se kishte, pasi në Agjencinë Antikorrupsion ka deklaruar mbi dhjetë mijë euro libra në bibliotekën personale), edhe ky drejtori i ri i “Pjetër Bogdan”-it, i cili i ka nuhatur nevojat e jashtëzakonshme të këtij institucioni sapo ka filluar punën, sigurisht se këtë vit, duke ndjerë dhembje për këtë institucion si për shtëpinë e vet, do t’i fillojnë investimet kapitale në të.

Por, po të bëhet një llogari e thjeshtë e gjithë këtyre investimeve, edhe objekti i Bibliotekës Qendrore Universitare është luks i tepruar, pasi gjithë ato para për ndërtimin e atij objekti është dashur të futen në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, se ai institucion nuk ka nevojë të ketë “lluk” të bukur, por këtij të vjetrit, për të qenë në gjendje t’i ruajë librat, kujtesën kombëtare e albanologjike, i duhet dhënë një infuzion i fortë dhe i madh, pas të cilit nuk ka nevojë më të investohet edhe nja tri dekada në të. Veç, Zoti na ruajt, nuk i teket Zotit e të ndodhë ndonjë fatkeqësi natyrore, ndonjë tërmet i madh ose kiamet i vogël!

Prandaj, duhet të revokohet (mos)marrëveshja e mirëkuptimit

Dhe për fund, propozoj dhe ritheksoj: (Mos)marrëveshja, i quajtur memorandum mirëkuptimi, i lidhur ndërmjet ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, atij të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Ibrahim Gashi, ish-drejtorit të BKUK-së, Sali Bashota si dhe zëvendësministrit të Financave, Ramadan Avdiu, TË REVOKOHET. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” të vazhdojë të quhet Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, pa epitetin e dhënë “Pjetër Bogdani”.

Pasi më shumë se çfarëdo tjetër janë të nevojshëm Instituti i Medies, i Dramës e i Kujtesës Kombëtare e ndonjë tjetër, ky objekt duhet t’u lihet këtyre institucioneve, të cilët mund të themelohen pas një vullneti të mirë të profesorëve të gazetarisë e publicistëve; profesorëve të dramës, dramaturgëve, regjisorëve e skenaristëve; rapsodëve, mbledhësve të trashëgimisë gojore dhe zanore e viktimave të luftës, natyrisht edhe atyre pasqyruesve të ngjarjeve edhe të hershme e të dhembshme historike, por edhe të kujtesës së re të Kosovës, luftës së fundit të saj.

Sepse lexuesit sot s’kanë nevojë për Qendër Universitare; sepse akëcili fakultet sot i ka bibliotekat e veta dhe librat universitarë për ta; sepse sot Kosova ka nevojë për ata tre institute, të cilët mund të punojnë në një godinë dhe nën një kulm. Prandaj, nëse kryeministri i tashëm, por edhe ai i ardhshëm, edhe ministrat e tashëm, por edhe ata të ardhshmit, ai i Kulturës dhe i Arsimit, e tjerrin si duhet këtë ide, atë Bibliotekë Qendrore Universitare duhet ta kthejnë aty ku ishte një vit më parë, në Bibliotekë Kombëtare. Sepse s’është e nevojshme Biblioteka Universitare; sepse janë të nevojshme investimet në Bibliotekë Kombëtare; sepse duam institucione të tjera arsimore, shkencore e kulturore, jo vetëm biblioteka; sepse nuk duam vetëm të shërbejmë, por edhe të studiojmë, të hulumtojmë e të kujtojmë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)