Sadri Ramabaja promovon librin Federata shqiptare"

Prishtinë, 23 nëntor - Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani sot promovohet libri teoriko-publicistik i profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Sadri Ramabaja Federata shqiptare - kohezioni i shtetit-komb në BE .
Prof. Dr. Sadri Ramabaja, publicist dhe analist politik, autor i shumë librave, studimeve e shkrimeve me karakter teorik dhe kritik për lëvizjen politike shqiptare, sapo e ka botuar librin Federata shqiptare - kohezioni i shtetit-komb në BE, nën siglën e Institutit për Hulumtime Shkencore Albanika nga Lubjana.
Nëpërmjet debatit për shtetin modern, respektivisht për shtetin-komb në kontekstin e integrimeve evropiane, me këtë studim origjinal autori ka trajtuar një temë të vështirë, por me një analizë empirike dhe me një guxim të pashoq politik e intelektual.
Në këtë libër Ramabaja paraqet të shkuarën e shtetit shqiptar, të tashmen, si dhe projekton një Federatë Shqiptare si të ardhmen politike të shqiptarëve në Ballkan.
Për librin e Ramabajës pritet të flasin njohës vendorë dhe huaj të teorisë politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.