22 Prill 2025

Rikthimi i artefakteve nga Serbia me Google

​Prishtinë, 29 qershor - Arkeologia Exhlale Dobruna, ka ndërmarrë një iniciativë interesante për rikthimin e artefakteve nga Serbia, të marra në luftën e fundit në Kosovë.

Dobruna u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’ia bëjnë një lutje Google, që në vend të logos së saj të vendosë një thirrje për Serbinë që t’i kthejë më shumë se 1200 artefakte në vendin e tyre. Për këtë iniciativë ka ofruar përkrahje edhe Ministria e Punëve të Jashtme, por njohësit e teknologjisë vlerësojnë se është e pamundur

“Na ndihmoni t’i rikthejmë 1200 artefakte që shteti i Serbisë i ka marrë nga Kosova gjatë luftës në vitin 1998. Ju lutemi vendoseni këtë në vend të logos tuaj”. Kjo do të mund të ishte një lutje në drejtim të adresës së Google, ‘[email protected]’, me qëllim që më shumë se 1200 artefakte të ndryshme të rikthehen në vendin e tyre. Këtë ide e ka dhënë arkeologia Exhlale Dobruna. Ajo thotë se inspirimi i ka ardhur nga shembujt që vendet e tjera nëpër botë që kanë bërë të njëjtën gjë për qëllime të ndryshme.

“I kam përcjellë veprimet e vendeve të tjera nëpër botë të cilat përdorin Google për kërkesa të ndryshme. Ne në Kosovë kemi nevojë me i kthye artefaktet e marra nga Serbia në luftën e fundit dhe Google kish me qenë një ndihmë e mirë.
\"Ne si personel shkencor dhe kulturor i gjithë trojeve shqiptare, do të ishte mirë që ta nisim një aksion për t’i kërkuar Google që ta vendosë një thirrje për Serbinë që t’i kthejë artefaktet”, thotë Dobruna. Ajo mendon se kjo do të bënte një bujë të madhe dhe do të ndihmonte sadopak në rikthimin e artefakteve. Dobruna shton se lutja duhet të jetë sa më paqësore, në mënyrë që Google ta pranojë atë për ta zëvendësuar me logon e saj.

“Ne duhet t’i drejtohemi Google në mënyrën që t’i themi se i ka marrë Serbia, sepse ashtu ka ndodhur në fakt. Eksponatet janë marrë për kinse një ekspozitë, por nuk janë kthyer më”, thekson arkeologia.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se duke u bazuar në eksperiencën me korporatat gjigante si Google, ato rëndom ju ikin çështjeve politike apo debateve dhe çështjeve “të nxehta” midis shteteve. Megjithatë ai ka ofruar ndihmën e MPJ-së për këtë iniciativë.

“Logoja e Google ndryshon për raste të veçanta dhe vlerësoj se edhe nëse kjo iniciativë e mirë e Prof. Dobruna ka apo nuk ka sukses, patjetër se përdorimi i platformave digjitale është mjet që mund të sjellë vëmendjen e opinionit botëror.
 Ministria e Jashtme ka programin e diplomacisë digjitale dhe nëpërmjet partnerëve tanë si Këshilli Britanik mund të diskutojmë në detaje secila është mënyra më efektive e avokimit për kthimin e artefakteve tona”, ka thënë Selimi.

Google nuk pranon kërkesa politike

Njohësi i Teknologjisë Informative, Çelik Nimani, thotë se Google nuk pranon të përfshihet në çështje politike, veçanërisht me një temë si Kosova dhe Serbia të cilat edhe pse të dala nga lufta, ende kanë probleme ndërmjet vete.

“Faktikisht është e pamundur me realizua diçka të tillë. Edhe nëse kishte dashtë dikush që me e zëvendësua logon e Google, me flamurin e Kosovës, ata nuk e aprovojnë, por e kanë një ekip të veçantë që i monitoron eventet speciale sikurse ishte rastin me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku ishte zëvendësuar logoja vetëm për domenin ‘.al’”, thotë Nimani.
Ai shton se nëse kërkesa kishte me qenë jopolitike dhe bëhet nëpërmjet peticioneve, mundet me shkua deri dikund, por në raste si kjo edhe pse është e arsyeshme dhe e logjikshme, Google nuk pranon. Nimani pohon se edhe në raste kur Google pranon diçka të tillë, atëherë zgjidhet mënyra më paqësore e mundshme.

“E ka një politikë shumë interesante dhe nuk ka ndodhë asnjëherë që të lëshoj kësi raste. Shpeshherë është komentuar kjo politikë edhe nëpër media. Edhe kur ka raste me lëshua diçka të tillë, atëherë zgjidhet mënyra më paqësore e mundshme”, thotë Nimani. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)