Qosja boton ditarin në tetë vëllime

Prishtinë, 26 mars - Akademiku Rexhep Qosja do të botojë së shpejti ditarin e tij ku përfshihen 50 vitet e fundit. Rrëfimet zënë fill në vitin 1966 dhe ia mbërrijnë gjer në ditët tona, duke sjellë vrullin e një jete intelektuale, ngjarjet, debatet, polemikat, botimet e më gjerë.
Gazeta Shqip konfirmon se Qosja prej kohësh ka filluar bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese \"Toena\", për të prezantuar ditarin e tij 50-vjeçar. Duke pasur parasysh të gjitha fletoret e blloqet me shënime, ditari i tij parashikohet të dalë në 8 vëllime, ndërkohë që tri vëllimet e para janë në proces botimi.
Në këtë botim, prof. Qosja trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë.
Ngjarjet që kanë sjellë viti 1966, vitet historike 1968 e 1981, formimi i partive, politika e tyre, formimi i UÇK-së, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe qëndrimet e vetjeve të ndryshme politike e intelektuale ndaj Shqipërisë janë ngjarje me përkushtim të posaçëm në këtë ditar.
Në ditar, profesori tregon se si krijonte, çfarë krijonte, çfarë lexonte, cilët krijues kombëtarë dhe botërorë çmonte dhe i donte më së shumti. Mandej, ai flet, duke i përshkruar e duke i vlerësuar, për ngjarje për të cilat është shkruar e folur nga autorë a mediet tona dhe për ngjarje për të cilat deri tani nuk është shkruar.
Në ditarin e vet, akademiku Rexhep Qosja është ndalur tek personalitete të ndryshme: krijues letrarë e artistikë, studiues të fushave të ndryshme shkencore, kuadro të universitetit, politikanë e shtetarë me të cilët ishte takuar gjatë jetës së tij.
Galeria e personaliteteve për të cilat flet, duke u bërë portrete treguese është jashtëzakonisht e pasur. Personazhe të shpeshta në të janë edhe disa gazetarë e publicistë.
Ditari i studiuesit Rexhep Qosja, me një pjesë të madhe, është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve e vetjeve për të cilat deri sot nuk është ditur apo shtrembëruar e vërteta: është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjeçare për ndryshimin e fatit të përparshëm historik të popullit shqiptar - për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar.
Ai është një histori e brendshme e Kosovës në radhë të parë, por edhe e Shqipërisë, në të vërtetë një histori e brendshme e jetës kombëtare, kulturore e politike, të popullit shqiptar në përgjithësi në kohën që e jetojmë në brezat e sotëm dhe në kohën që e kanë jetuar paraardhësit tanë.