QKK përkrah tetë filma të metrazhit të gjatë

Prishtinë, 30 qershor - Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije se kjo qendër, përkatësisht juria vlerësuese në përbërje të Domenico La Porta-kryesues, Nikolaj Nikitin, Pavel Jech, Astrit Alihajdaraj, Doruntina Basha, Edon Rizvanolli, dhe Visar Krusha - anëtarë, pasi ka shqyrtuar projektet e paraqitura në konkursin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë, të vitit 2014, i ka shpallur projektet fituese të cilat janë.
1. Fusha e mullenjave, skenari e regjia: Arzana Kraja, shtëpia filmike: Circle Production, me producent Besnik Krapi.
Juria e ka vlerësuar me më së shumti pikë këtë projekt filmik për shkak të trajtimit origjinal të problemeve të shoqërisë kosovare në tranzicion dhe të diasporës kosovare në Gjermani.
2. Home Sweet Home, skenari: Zymber Kelmendi, regjia Faton Bajraktaraj, shtëpia filmike: Cine Production,me producent Trim Musliu.
Juria e ka vlerësuar lart këtë projekt filmik që trajton me ndjeshmëri problemet e pasluftës në Kosovë.
3. Engjëjt janë larg, skenari e regjia Gjergj Xhuvani, shtëpia filmike: Buka, me producent Fatmir Spahiu.
Juria vlerësuese çmon potencialin artistik të këtij projekti që është tërësisht i fokusuar në Kosovë.
Për koproduksion minor, juria vlerësuese ka vendosur për projektet në vijim:
1. Y-Elephant, skenari e regjia z. Nonny Geften, shtëpia filmike: Industria Film, me producentë Blerta Basholli, Ita Itamir.
Juria e ka vlerësuar lart skenarin e këtij projekti filmik, i cili trajton temën që përkon me realitetin kosovar dhe i gëzohet realizimit të këtij filmi në Izrael me ekip kreativ kosovar.
2. September, skenari: Darijan Pejovski dhe Igor Ivanov, regjia: Darijan Pejovski, shtëpia filmike: Ikone Studio, me producentë Valon Bajgora, Tomi Slakovski.
Juria ka përzgjedhur këtë projekt duke e vlerësuar lart skenarin e tij, temën universale dhe potencialin e madh komercial.
Juria ka vlerësuar se tri projektet në vijim kanë potencial të lartë artistik, qasje inovative dhe tema intriguese dhe beson fuqishëm në kapacitetet e ekipeve të tyre kreative, prandaj ka vendosur që këto projekte të përkrahen për zhvillim të mëtutjeshëm të skenarit.
1. Shpia, skenari Lendita Zeqiraj, shtëpia filmike: NArt, me producent Bujar Kabashi.
2. Cirku Fluturues, skenari Fatos Berisha, shtëpia filmike: B2-PR & Media Solutions, me producente Vjosa Berisha.
3. Karuseli, skenari Ilirian Hima, shtëpia filmike: Dat Film, me producent Agron Shala.
Juria vlerësuese është jashtëzakonisht e kënaqur me numrin e madh të aplikimeve që janë paraqitur në konkursin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë për vitin 2014 dhe nuk e ka pasur të lehtë përzgjedhjen e projekteve të lartpërmendura për shkak se konkurrenca ka qenë e lartë.
Juria çmon qasjen origjinale të skenaristëve dhe regjisorëve në trajtimin e temave që kanë potencial për ta prezantuar Kosovën para publikut si në vend ashtu edhe jashtë, me një frymë të re. Po ashtu, juria është e gëzuar që të gjitha projektet e mbështetura kanë potencial të lartë për koproduksione ndërkombëtare dhe thellim të bashkëpunimeve të tjera ndërkombëtare, është thënë në njoftimin QKK-së, në të cilin është shtuar:
Qendra Kinematografike e Kosovës shpreson se projektet e përzgjedhura për mbështetje në konkursin e këtij viti do tu bashkëngjiten së shpejti suksesit të projekteve të subvencionuara në konkurset e kaluara dhe do të kontribuojnë në thellimin e bashkëpunimit me shtetet e tjera.
Shembull i këtij suksesi është filmi artistik i metrazhit të gjatë Bota i regjisorëve Iris Elezit dhe Thomas Logoreci, koproduksion i Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë, i cili do ta ketë premierën më 5 korrik 2014, në festivalin e kategorisë A në Karlovy Vary. Në konkursin e vitit 2014, QKK po ashtu ka mbështetur edhe 7 filma të metrazhit të shkurtër, 4 dokumentarë dhe 1 animacion, është bërë me dije nga QKK-ja.