Përkrahje më e madhe për aktivitet rinore, sportive dhe kulturore

Mitrovicë, 25 qershor - Në ditën e dytë të takimit të dëgjimit publik për planifikimin e buxhetit për vitin 2015-2017, organizuar nga Drejtoria e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Mitrovicës, projekt-propozimet, sugjerimet dhe kërkesat i paraqitën përfaqësues të organizatave rinore, përfaqësues të klubeve sportive dhe institucioneve sportive.
Në takim ishin prezent, kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Safet Kamberi.
Kërkesat kryesore të tyre kishin të bënin më përkrahjen më të madhe financiare për organizatat rinore, sportive dhe kulturore.
Ragip Hyseni nga OJQ KVRL, tha se për të pasur aktivitete sa më të shumta rinore, të cilat do të ndikonin në gjallërimin e jetës në përgjithësi, është e nevojshme që projektet e ndryshme për aktivitet rinore të përkrahen më shumë.
Deri më tani nuk ka qenë një përkrahje e mjaftueshme sa i përket organizatave rinore. Ne kemi shumë nevoja dhe për të realizuar objektivat tona, aktivitet tona të ndryshme, që do të ndikonin pozitivisht tek të gjithë, duhet që të kemi mbështetje më të madhe financiare tha ai.
Hjarullah Mustafa, drejtor i Muzeut të qytetit theksoi se buxheti në vitet e ardhshme duhet të planifikohet edhe sa i përket sferës së ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Mendoj që institucionet kulturore duhet të përkrahen edhe më shumë. Trashëgimia kulturore zë një vend të rëndësishëm për promovimin e kulturës së një populli dhe si rrjedhojë buxheti duhet të fokusohet edhe në këtë drejtim.
Miftar Kurti, drejtor i Bibliotekës së qytetit, ka paraqitur kërkesën për një objekt të ri të Bibliotekës.
Ai tha se në këtë mënyrë do të ofroheshin kushte më të mira për frekuentuesit e bibliotekës së qytetit Latif Berisha. Edhe përfaqësuesit e klubeve sportive kanë kërkuar mbështetje konkrete për realizmin e objektivave të tyre gjatë viteve në vijim.
Kryetari, Agim Bahtiri tha se jo vetëm rinia, sporti dhe kultura, por edhe të gjitha fushat e tjera do të kenë mbështetjen e duhur. Ai, pasi theksoi se është i njoftuar për të gjitha problemet, tha se ditë të mira do të vinë për Rininë, Sportin dhe Kulturën.
Kujtim Isa, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, tha se duke i pasur parasysh të gjitha kërkesat, buxheti në vitet në vijim do të planifikohet sipas prioriteteve në të gjitha fushat. Ai tha se është i njoftuar me gjitha problemet me të cilat ballafaqohet jeta rinore, sportive dhe kulturore në Mitrovicë dhe shpreson se shumë shpejt këto pengesa do të tejkalohen.
Duke marrë parasysh se puna me të rinjtë është investim i përhershëm në ardhmëri, DKA do të krijoj plane strategjike, veprimtari dhe programe, duke vënë në konsideratë nevojat e të rinjve. Qëllimi është përforcimi i kapaciteteve për tu ballafaquar me sfidat dhe pengesat e përditshme, përfshirja e të rinjve në pjesëmarrje aktive në proceset e krijimit të politikave në baza lokale. Po ashtu edhe në sport e kulturë, do të harmonizojmë buxhetin në bazë të kërkesave më prioritare, tha Isa
Ndërsa, Drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Nysret Maxhera, tha se pavarësisht kërkesave të mëdha, edhe përkundër një buxheti të varfër, planifikimi i buxhetit për vitet në vijim do të hartohet në bazë të kërkesave dhe nevojave më prioritare.