MKRS ndanë mjete për renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Perlepnicë
Prishtinë, 16 gusht - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi për investime në renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Perlepnicë.
Me këtë memorandum MKRS zotohet të investojë 30 mijë euro për renovimin e objektit, ndërkaq Komuna merr obligimet për kryerjen e procedurave të parapara si dhe investimin e pjesës së mbetur financiare.
Memorandumi në emër të MKRS-së, e ka nënshkruar Sekretari i Përgjithshëm, Veton Firzi, ndërkaq për Komunën e Gjilanit, Kryetari Qemajl Mustafa.
Para nënshkrimit të Memorandumit, kryetari Mustafa është pritur në një takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Ministri ka thënë se investimet në jetën kulturore, sportive e rinorë në Gjilan nga ana e MKRS-së janë rritur në vitet e fundit.
Ai ka thënë se përveç këtij investimi, tashmë pritet që me fondet e MKRS-së të ndërtohet një qendër moderne rinore në Gjilan, e para e këtij lloji në Kosovë.
Ai tha po ashtu se përveç kësaj, ka pasur investime dhe subvencionime të projekteve të ndryshme në Gjilan qoftë në kulturë dhe trashëgimi.
Duke shprehur përkrahjen e vazhdueshme për këtë komunë, Ministri Krasniqi tha se komunat në përgjithësi duhet të bëjnë më shumë për jetën kulturore e sportive, për të krijuar kështu sa më shumë kushte të favorshme për aktivitete të ndryshme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen që ka dhënë për këtë komunë në këto vjet, me investime në sport, kulturë dhe rini.
Ai i vlerësoi si tejet të rëndësishme renovimin e shtëpisë së kulturës në Perlepnicë dhe ndërtimin e qendrës rinore. Me këtë, tha ai, rinia e Gjilanit ka ambient shumë të favorshëm për aktivitete të shumta.
Po sot, Ministri Krasniqi ka pritur në një takim edhe Kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
Ky i fundit ka falënderuar Ministrin Krasniqi për investimet që MKRS ka dhënë për këtë komunë, si në ndërtimin e Palestrës Sportive, por edhe investime të tjera që lidhen me kulturën, sportin, rininë dhe trashëgiminë.
Ministri Krasniqi tha se mbështetja do të jetë e vazhdueshme, duke çmuar me këtë rast interesimin e komunës së Malishevës që të ketë sa më shumë projekte në këto fusha.