Mitrovicë, organizohet festivali i muzikës “Green”
Mitrovicë, 21 gusht - Nga data 23-25 Gusht, në Mitrovicë për herë të tretë organizohet festivali i muzikës “Green”.
Lulzim Hoti ka thënë së për të ardhur deri tek ky manifestim kulturor janë zhvilluar edhe aktivitete të shumta ambientaliste, si: debate, art në rrugë, pastrime të hapësirave të ndotura, zgjedhja e kopshtit me të mirë, punime arti nga material të ricikluara, si dhe vendosje të shportave në parqe të qytetit.
\"Një motivim shtytës dhe i pritur me admirim nga qytetarët mitrovicas, qe edhe aktiviteti që bëri jehonë edhe jashtë Kosovës, ngasja e biçikletës për mbledhje të fondeve nga Prishtina në Bruksel, nga ish polici i EULEX-it, Antonius Hendriks\", ka theksuar Hoti.
“Green 3” për dallim nga viti i kaluar, këtë herë ka sjellë zhanre nga më të ndryshmet, si dhe ka sjellë bende nga Holanda, Maqedonia e Shqipëria, duke e trasuar rrugën drejtë një festivali ndërkombëtarë.
Festivali mbahet në parkun e qytetit, bri lumit Ibër, ndërkaq për të rinjtë jashtë qytetit të Mitrovicës, është siguruar edhe hapësira për kamping.
Përveç argëtimit, festivali synon të ngrisë vetëdijen dhe të sensibilizojë opinionin kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit si dhe të krijojë një ambient të relaksuar për të gjithë qytetarët.
Festivali i muzikës GREEN organizohet nga organizata kulturore “7arte” ndërsa është mbështetur nga: Zyra e BE-së në Prishtinë përmes programit “Culture for all”, Komuna e Mitrovicës, Green ride, si dhe nga ndërmarrje vendore.