Mitrovicasit mirëpritën fillimin e Festivalit Tradicional të Komedisë
Mitrovicë, 3 qershor - Të hënën në orët e mbrëmjes, në Qendrën e Kulturës Rexhep Mitrovica, ka filluar edicioni i gjashtë i Festivalit Tradicional të Komedisë, e cila është ngjarja më e rëndësishme kulturore në qytetin e Mitrovicës. Festivali do të zgjas pesë ditë.
Në natën e parë të edicionit të gjashtë të Festivalit Tradicional të Komedisë, në skenën e Qendrës së Kulturës Rexhep Mitrovica, në Mitrovicë, janë ngjitur aktorët e talentuar të Teatrit të Suharekës, të cilët shfaqën komedinë Dr Selimi, të autorit Astrit Bytyqi, që njëherësh ishte edhe regjisor i shfaqjes.
Komedia kishte në fokus stigmatizimin e dukurive të shumtat negative, siç janë korrupsioni, sharlatanizmi, sjelljet amorale të individëve, që ne sot i hasim me bollëk në jetën e përditshme. E tërë ngjarja e shfaqjes zhvillohet në ordinancën e Dr Selimit, një mjek sharlatan e pa etikë, i cili përveç se nuk ka aftësi prej mjeku për ti trajtuar të sëmurit, nga ata mundohet të përfitoj materialisht, por edhe në mënyra të ndryshme, sidomos nga pacientet e bukura.
Fazli Hajrizi tha se shfaqja e parë ishte simpatike, po ashtu edhe loja në përgjithësi ishte në nivel, edhe si faktor letrar edhe si realizim skenik në përgjithësi. Sipas tij roli i dr. Selimit, ishte një lojë e nivelit më të lartë skenik..Hajrizi tha se përmbajtja ia ka vlejtur. Autori stigmatizon dukuritë negative në fushën e mjekësisë.
Ai e luan rolin enjë mjeku sharlatan që është edhe interesgji, edhe me moral të ulët dhe grykës që në realitetin tonë ekzistojnë. Kjo pjesë e ka efektin e vet që duhet kritikuar, këto dukuri negative. Qëllimi është ta vetëdijesoj opinionin tonë në përgjithësi. Më pëlqeu që humori nuk ishte i sforcuar. Gjithçka ishte në masë. Nuk përdoret humori i ulët e banal që është mirë tha Hajrizi.
Shfaqjet në mbrëmjet edicionit të gjashtë të Festivalit Tradicional të Komedisë, do t`i përcjell dhe vlerësoj komisioni në përbërje Jahi Jahiu, dramaturg: Skender Zogaj, kritik i dramës, dhe Avni Abazi, aktor.