Memoriali Heroinat ka kuptim madhështor

Prishtinë, 18 nëntor - Sot, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u mbajt konferenca për media për të bërë prezantimin e idesë fituese për Memorialin për Nderimin e Kontributit të Gruas Gjatë Luftës 1998-1999.
Në prezantim morën pjesë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e detyrës projektuese dhe fituesi i saj.
Në prezantimin e tij, fituesi I detyrës projektuese, Ilir Blakcori nga MOLOS Group, shpjegoi para mediave simbolikën e memorialit. Sipas tij, skulptura ka një këndvështrim të dyfishtë makro dhe mikro, që simbolikisht në mënyrë individuale të nderohet cdo grua për kontributin e dhënë.
Nga prezantimi individual I portretit në formë të medaljes (shufrat metalike), ndërtohet një portret I madh, që përfaqëson gruan kosovare dhe saktificat e saja për liri, tha z. Blakcori, në prezantimin e tij, duke shtuar se cdo medalje në këtë skupturë është njëkohësisht edhe medalje individuale për secilën grua që ka dhënë kontribut gjatë luftës.
Ai gjithashtu bëri edhe prezantimin e mënyrës së realizimit të idesë, që përfshinë edhe metodat më të fundit të teknologjisë, në shtypjen e medaljeve, që në përfundim do të japin portretin e gruas kosovare, duke u bazuar në tiparet e saja të vecanta.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj Alma Lama, si anëtare e komisionit për përzgjedhjen e detyrës ideore tha se kjo ide, sipas kënvështimit të komisionit, ka plotësuar kushtet e kërkuara në detyrën projektuese.
Sipas raportit të komisionit, fituesi I detyrës projektuese ka arritur që në projetin e tij të nderojë në mëntyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas gjatë luftës në Kosovë, si ruajtja, bartja e fëmijëve, pleqve, të plagosurve, të respektojë sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore dhe të nderojë sakrificën e grave të dhunuara.
Në anën tjetër, MMPH mbështetë dhe mbronë në mënyrë të vendosur vendimin e komisionit, pasiqë janë përmbushur të gjitha procedurat ligjore, që nga thirrja për participim të artistëve që ka rezultuar në interesim të madh, e rrjedhimisht edhe në kualitet të lartë të ideve të prezantuara, deri në përzgjedhjen finale të fituesit të detyrës projektuese.