05 Maj 2024

Kristen Stewart aktorja që ka fituar më shumë gjatë këtij viti

Hollywood, 21 qershor - Në renditjen vjetore të ‘Forbes’ për aktoret femra që kanë fituar më shumë gjatë këtij viti, Stewart triumfon duke e zhvendosur në vend të katërt mbretëreshën aktuale, Angelina Jolie.

Ndodh që në klasifikimet e shumta që bën revista prestigjioze ‘Forbes’ sa i përket anëve të ndryshme të jetës së Hollivudit të ketë ndryshime të vogla dhe graduale të pozicionimit të yjeve të ndryshëm të showbizit.

Por klasifikimi më i fundit i dhjetëshes së aktoreve femra më të paguara në Hollivud ka qenë një revolucion më vete, një ndërrim drastik brezash.

Kështu, aktorja 22-vjeçare Kristen Stewart ka arritur ta ‘hedhë’ nga froni mbretëreshën aktuale, Angelina Jolie, e cila mbante deri më tani vendin e parë si aktorja më e paguar në Hollywood, duke e dërguar atë direkt në vend të katërt.

Dhe është përsëri ajo, diva e vogël e filmit super të pëlqyer ‘Twilight’, që u rrit plotësisht profesionalisht në filmin tjetër ‘On the road’, e cila udhëheq një renditje që pasohet nga aktore veterane të skenës së Hollivudit si Cameron Diaz apo Meryl Streep.

Triumfi i sagës së famshme ‘Twilight’ ka edhe një kuptim simbolik, pasi arriti që të mbledhë edhe një herë pas shumë kohësh braktisjeje, të rinj të shumtë nëpër sallat e kinemasë, por shënon edhe një rritje profesionale për aktoren e re, e cila arriti të triumfonte në këtë mënyrë edhe në një klasifikim që ka një lloj rëndësie të veçantë mes aktoreve të Hollywoodit, duke qenë se në fund të fundit tregon diçka nga prestigji i tyre dhe fakti se sa të pëlqyera janë ato në publik.

Klasifikimi i ‘Forbes’ përfshin periudhën nga maji i 2011 deri në maj të këtij viti, ku figuron se Stewart ka arritur të sigurojë plot 34, 5 milionë dollarë fitime.

E dyta në këtë klasifikim është Cameron Diaz, me 34 milionë, e treta Sandra Bullock, me 25 milionë dollarë dhe në vend të katërt, Angelina Jolie me 20 milionë dollarë fitime në vit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)