Krasniqi: Të rinjtë kanë rol të rëndësishëm në jetën publike
Prishtinë, 12 gusht - Fuqizimi i rolit të rinisë në jetën publike është një angazhim i gjithë shoqërisë, por që nismat dhe krejt përpjekjet duhet të burojnë nga të rinjtë , pasi duhet të jetë në zgjedhjen e tyre të lirë dhe të vullnetshme që të bëhen pjesë aktive e zhvillimeve në vend.
Ajo çka institucionet dhe mekanizmat tjerë duhet të bëjnë është të krijojnë gjithë hapësirën dhe kushtet e nevojshme për një rol sa më aktiv të të rinjve. Kështu tha sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në konferencë Pjesëmarrja dhe Fuqizimi i Rinisë, e mbajtur në Prishtinë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Kjo konferencë u organizua nga MKRS-ja, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Këshilli Qendror për Veprim Rinor.
Përpos kësaj konference, sot nga Departamenti i Rinisë janë organizuar edhe aktivitete të tjera kulturore e sportive për të shënuar këtë ditë.
Ministri Krasniqi shtoi se është e vërtetë që ka ende shumë procese që duhet kryer e që e prekin rininë, por theksoi po ashtu se një gjë që e bën Kosovën lider në rajon është dhënia e përgjegjësive institucionale dhe aktivizimi në shoqëri civile.
Ai tha se është e rëndësishme që secili individ dhe shoqëria në përgjithësi të punojë për një të ardhme më të mirë.
Duhet ta dimë që sikur një i ri që përballet me sfida gjatë rritjes deri në pjekuri, mund të jetë për shembull dilema rreth zgjedhjes që kemi bërë në karrierë, raportet me miq, kontributi në familje e gjëra të tilla, edhe Kosova si shtet i ri ka sfidat e saj në krijimin e një shoqërie demokratike, një shtet të zhvilluar.\"
\"Unë dua të them që të gjithë jemi nga pak të pakënaqur me jetën në Kosovë. Por, mendoj se duhet të gjejmë shpresat për të ardhmen të të rinjtë e shkolluar dhe që besojnë se mund të bëjnë ndryshime në Kosovë duke dhënë ide, duke qenë qytetarë aktiv të shoqërisë, e duke marr pjesë në procese nëpër të cilat kalon vendi, ka thënë ai.
Ministri ka shtuar se në këto tri vjet MKRS i ka dhënë fokus të veçantë ndërmarrësisë, duke mbështetur këtu qindra të rinj në hapjen e biznese të reja.
Ai po ashtu përmendi se çdo vit MKRS ka rritur fondin për organizata rinore dhe qendrat rinore, duke ua lehtësuar atyre angazhimin për avokimin e kërkesave të të rinjve dhe përfshirjen e tyre në jetën shoqërore.
Po ashtu, ai përmendi se MKRS ka investuar edhe në krijimin e kushteve më të mira për aktivitete sportive e kulturore, ku të rinjtë shprehin pasionin dhe talentin e tyre.
Ai, duke i inkurajuar të rinjtë që të jenë sa më aktivë dhe inovativë në organizimin e jetës së tyre, ka ftuar ata që angazhimet në përfaqësimin e interesave rinore, të mos i ndikojnë nga interesat e ndryshme.
Në këtë konferencë kanë folur edhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, OSBE-së, Këshillit Qendror për Veprim Rinor, si dhe organizata të ndryshme rinore.