Kosova shënon Ditën Botërore të së Drejtës së Pronësisë Intelektuale

Prishtinë, 28 prill - Të drejtat pronësore intelektuale, roli i tyre në ekonomitë në zhvillim, sfidat në Kosovë dhe mënyra se si trajtohen ato nga agjencitë përgjegjëse që sigurojnë implementimin e këtyre të drejtave, ishin disa prej çështjeve që u diskutuan nga një numër i gjerë panelistësh në një takim të organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja - Përforcimi i Sistemit për të Drejtën Pronësore Intelektuale në Kosovë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Pronës Industriale pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Zyrën për të Drejtën e Autorësisë dhe të Drejtat e Ndërlidhura, Ministria e Kulturës.
Takimi u organizua për të shënuar Ditën Botërore të së Drejtës Pronësore Intelektuale dhe mblodhi të gjitha palët e interesit: Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë dhe atë të Kulturës, përfaqësuesit e Agjencisë së Pronës Industriale, Zyrën për të Drejta të Autorësisë dhe të Drejta të Ndërlidhura, autoritet për zbatimin e ligjit doganat, sistemin gjyqësor, policinë, inspektorët e tregut si dhe autorët, kompozitorët, artistët dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.
Zhvillimi i një sistemi të fortë të të drejtave pronësore intelektuale në Kosovë është parakusht qenësor për sjelljen e investimeve të huaja dhe krijimin e mundësive për vende pune.
Kjo tani gjatë procesit të negocimit të MSA-së po bëhet edhe më e rëndësishme, pasi që mbrojtja e të drejtave pronësore intelektuale dhe lufta kundër piraterisë dhe falsifikimit janë ndër shqetësimet kryesore të Bashkimit Evropian, theksoi Melvin Asin, zëvendës shefi për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së.
Për të përkrahur Kosovën në zhvillimin e një sistemi të tillë, Zyra e BE-së në Kosovë lansoi projektin e financuar nga BE-ja, Përforcimi i të Drejtave Pronësore Intelektuale në Kosovë, që është projekti i dytë që mbulon këtë fushë.
Në vitin 2000, shtetet anëtare të Organizatës Botërore për të Drejtat Pronësore Intelektuale (WIPO) e ka caktuar 26 prillin si ditë të së drejtës pronësore intelektuale me qëllim të rritjes së përgjithshme të të kuptuarit të së drejtës pronësore intelektuale.
Kjo është dita në të cilën hyri në fuqi Konventa e WIPO-s në vitin 1970. Prej atëherë dita botërore e së drejtës pronësore intelektuale është festuar anekënd botës me qëllim që të shqyrtojë se si e drejta pronësore intelektuale e drejta e autorësisë dhe e drejta industriale kontribuon në zhvillimin e botës sonë.
Kjo ditë ofron një mundësi për përkujtimin e krijuesve për krijimet e tyre librat, filmat, muzikën, inovacionet, teknologjitë dhe barërat e reja, krijime të cilat sjellin dobi për gjithë shoqërinë, pasi që ato ndryshojnë jetën tonë drejt së ardhmes. Gjithashtu është një mundësi për ngritjen e vetëdijes publike rreth rolit të sistemit të së drejtës pronësore intelektuale që të gjenerojnë pasuri dhe ngritje ekonomike, si dhe rreth ndikimit negativ që kanë kopjimi dhe pirateria krahas ekonomisë dhe individëve.