Kosova e Shqipëria me nisma të përbashkëta në fushën e kulturës

Prishtinë, 22 nëntor - Nga muaji janar Shqipëria dhe Kosova do të nisin konkretisht punën në hartimin e dokumenteve të rëndësishme për një bashkëpunim dhe bashkëveprim në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Një gjë e tillë u theksua dje në takimin që kishte Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, bashkë me delegacionin që e shoqëronte, me homolgën, Mirela Kumbaro - Furxhi në Tiranë.
Duke e falënderuar për ftesën dhe bashkëpunimin e ofruar, Ministri Krasniqi tha se është koha që vërtetë të veprohet bashkërisht në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Bashkëpunimet kulturore kanë qenë të mira, si në rastet e shkëmbimeve të aktiviteteve në muaj të përbashkët kulturorë, apo dhe në bashkëpunime individuale artistësh, por vlen të theksohet se kanë mbetur në bashkëpunime të fragmentarizuara të qëllimit.\"
\"Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një kornize bashkëpunimi, që do ti vlejë artit, kulturës dhe vlerave tona të përbashkëta. Unë besoj fort se misioni ynë është i përbashkët, po ashtu edhe sfidat tona janë të përbashkëta, tha ai.
Ministri Krasniqi ka shpjeguar për mënyrën se si funksionojnë institucionet e kulturës në Kosovës, infrastrukturën ligjore rreth kësaj fushë por edhe trashëgimisë kulturore, duke vlerësuar se në vitet e fundit është shënuar progres në depolitizimin e tyre e po ashtu edhe në rritjen e mbështetjes financiare.
Mbështetja financiare tha Ministri Krasniqi është rritur edhe për kulturën e pavarur dhe se tashmë Kosova ka krijuar një kalendar të pasur me aktivitete kulturore.
Nga ana e saj Ministrja Kumbaro Furxhi, pasi falënderoi homologun e saj për vizitën ka shprehur vlerësim për punën e deritanishme të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, me objektiva të qarta dhe të përcaktuara për ruajtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar dhe kulturor.
Ajo u shpreh se marrëdhëniet mes dy ministrive duhet të shënojnë një epokë të re të bashkëpunimit kulturor, të përkthyera në aksione konkrete. Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një strategjie të përbashkët kulturore.
Bashkëpunimi rajonal në fushën e kulturës është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, por edhe e vetë qeverisë së re të Shqipërisë. Ne do të punojmë për krijimin e një hapësire kulturore mbarëshqiptare, e mbështetur institucionalisht, ku hapësirat kulturore të trajtohen me disa qendra, por të unifikuara, tha ministrja Kumbaro Furxhi.
Temat kryesore të diskutimit ishin:
1. Hartimi i një kalendari të përbashkët kulturor, jo në një muaj, në një javë, por gjatë tërë vitit, mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona në fushën e teatrit, kinematografisë, operës, baletit, librit, etj.
2. Hartimi i një platforme për trashëgiminë kulturore, me qëllimin e ndërtimit të nismave të përbashkëta bashkëpunimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
3. Harmonizimi i legjislacionit në fushën e artit dhe kulturës, në kuadër të BE-së dhe përvojës së dy vendeve. Qëllimi i këtij harmonizimi bëhet me synimin e shmangies së barrierave ligjore për një qarkullim të lirshëm të artistëve, artit dhe kulturës së përbashkët.
Ministri Krasniqi dhe Ministrja Kumbaro Furxhi u pajtuan se duhet të ketë strategji të përbashkëta në fushën e kulturës, kalendar të përbashkët si dhe harmonizim të ligjeve dhe praktikave menaxhuese.