Kërkohet mbrojtja e objekteve më vlera të Prizrenit

Prishtinë, 30 dhjetor - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm ka shqyrtuar ecurinë e hetimeve në lidhje me djegien e shtëpisë së familjes Shehu në lagjen Tabakhanë.
Valon Xhabali, Koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore ka theksuar se gjatë këtyre javëve janë mbledhur informata nga institucionet e hetuesisë dhe të sigurisë, në bazë të cilave supozohet se zjarri ishte shkaktuar nga instalimi i vjetër i rrymës elektrike.
Procesverbali i Drejtorisë së Emergjencës dhe Sigurisë lidhur me këtë incident të zjarrit supozon se zjarri është shkaktuar nga rrjeti elektrik, dhe thekson pamundësinë për vërtetimin e shkaktarit për shkak të djegies dhe rrënimit të shtëpisë. Në këtë raport thuhet se në objekt ka banuar një familje 14 anëtarëshe.
Ndërsa raporti i hetuesve të Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor në Prizren bën të ditur se anëtarët e kësaj familjeje kanë konfirmuar problemet e shpeshta me instalimin e dobët elektrik.
Xhabali ka thënë së duke u bazuar edhe në raportin e DES-it njësiti i hetimeve ka ardhur në përfundim se në rastin konkret nuk janë gjetur elemente të ndonjë vepre penale dhe me këtë konstatim është njoftuar Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Zyrtarët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren kanë pohuar se e kanë marrë këtë raport dhe se e kanë dërguar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa krerët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë raport, edhe pse me një reagim publik kishin kërkuar marrjen e masave urgjente për zbardhjen e rastit.
Bazuar në këto të gjetura EC Ma Ndryshe sërish shpreh keqardhjen për këtë humbje kulturore të Prizrenit dhe apelon tek institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, veçanërisht në Qendrën Historike të Prizrenit.
\"Konsiderojmë se Komuna e Prizrenit, IMMH-ja, MKRS-ja dhe organet tjera duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në drejtim të identifikimit të objekteve me vlera të Prizrenit dhe hapave konkretë për ruajtjen e tyre nga shkatërrimi i tërësishëm\", thekson Xhabali.
Gjithashtu përkrahim rekomandimin e dhënë nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit që të merren të gjitha masat preventive që shtëpia të mos rrënohet tërësisht, duke vazhduar me punimet për konservimin dhe rindërtimin e saj dhe kthimin në gjendjen e mëparshme.
Ndërsa KTK-në e rekomandojmë që të ndërmerr nismën për diskutim të kësaj problematike me të gjithë hisedarët, në mënyrë që të gjendet mënyra për rindërtimin e kësaj shtëpie, por edhe për parandalimin e dëmtimit dhe shkatërrimit të vlerave tjera të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.