Jam Drenica, hapet në Prishtinë

Prishtinë, 20 qershor - Skulptorja Afërdita Curri, këtë javë ka hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ekspozitën personale me skulptura të titulluar Jam Drenica.
Skulptorja Afërdita Curri, për gazetën Epoka e re, ka thënë se deri tani është prezantuar në disa ekspozita në Kosovë, të cilat kanë pasur tema të ndryshme, por nuk janë larguar nga tradita e shqiptare, e veçanërisht nga tradita e Drenicës.
Po deri më tani unë i kam hapur disa ekspozita në Kosovë siç janë: Për ty Atdhe, Ëndrra fëmijërore, Lulëkuqet e Drenicës, Nëna ime, Guri i rëndë peshon në vend të vet, ka theksuar ajo.
Sipas saj, kultura dhe veçanërisht krijimi i skulpturave të reja, nuk po përkrahen nga institucionet e Kosovës.
Për të gjitha ekspozitat që i kam pasur, nuk kam pasur ndonjë mbështetje institucionale. Besoj se në të ardhmen mund të kem mbështetje, pasi prodhimi i skulpturave është një gjë e shtrenjtë dhe është vështirë që të mbulohen financat në mënyrë vetjake në të gjitha rastet, ka theksuar ajo.
Kurse profesori i Fakultetit të Arteve, Hivzi Muharremi ka vlerësuar lartë punimet e skulptores Afërdita Curri.
Sipas tij, punimet që janë ekspozuar në këtë ekspozitë flasin për imagjinatën e bujshme të një krijuese të re, që në të ardhmen, jo vetëm që do të jenë prezentë me vepra nga fushat e skulpturës, por edhe do të zhvillohet si një artiste e mirëfilltë.
Afërdita Curri burimin e frymëzimit e gjen që nga jeta e njerëzve të rëndomtë, nga natyra, nga fëmijët, nga bjeshkët e Drenicës. Ajo është e preokupuar nga tematika historike, ngjarjet e 90-s, kur nëpër pak dritë për çlirim u gjakos, jo vetëm Drenica, por e tërë Kosova, ka theksuar ai.
Biografia e Afërdita Currit
Afërdita Curri, u lind në Fshatin Korroticë, Komuna e Drenasit.
Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të Mesmen në Drenas.
Ajo ka mbaruar studimet në Pedagogji në UP. Ajo po ashtu tani është duke i përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve në UP, Drejtimi i Skulpturës.
Përkrahjen për skulpturat e bënë, motrat e Afërditës, prof.Drita Curri dhe Mirdita Curri.( Adifete Bela)