Jahja Shehu, laureat i Çmimit për vepër jetësore në teater

Prishtinë, 27 mars - Aktori i mirënjohur Jahja Shehu është laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit. Atij iu nda çmimi sot, në Ditën Botërore të Teatrit, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në një ceremoni rasti në MKRS, e ku po ashtu u ndanë edhe Çmimet vjetore për teatër për vitin 2013.
Për shfaqjen më të mirë është shpërblyer shfaqja Mbas zonjushës Julie, me regji të Kushtrim Koliqit dhe produksion të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Sikur kjo të ishte shfaqje është shpërblyer me çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar. Kjo shfaqje është prodhim i kompanisë teatrore La Rremë në bashkëpunim me Teatrin ODA.
Kushtrim Koliqi ka marrë çmimin për regjinë më të mirë, për shfaqjen Mbas zonjushës Julie.
Aktorja Gresa Pallaska ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në rolin e saj në shfaqjen Mbas zonjushës Julie.
Bazuar në Rregulloren për ndarjen e çmimeve vjetore për teatër, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ka vlerë financiare 5 mijë euro, ndërkaq kategoritë tjera shpërblehen me nga 2 mijë e 500 euro.
Ministri Krasniqi tha se ndjehet i nderuar që ka pasur rastin të punojë në themelimin e këtyre çmimeve dhe në ndarjen e tyre.
Kosova ka shumë emra, personalitete që e kanë ndërtuar e zhvilluar teatrin, e po ashtu ka një gjeneratë të re që po vjen dhe po shkëlqen jo vetëm në Kosovë por edhe në skenat botërore. Këto çmime janë një nderim që shoqëria dhe shteti i bën këtyre personaliteteve të shquara të skenës kulturore, dhe një nderim e motiv për gjeneratat e reja për punë edhe më të mëdha, ka thënë ministri Krasniqi.
Ministri ndërkaq ka folur për personalitetin e Jahja Shehut, duke e vlerësuar atë si një nga ata që kanë zhvilluar teatrin anekënd Kosovës.
Për mua është nder që tia ndajë këtë çmim dhe padyshim ti them, zotit Jahja Shehu se ky çmim nuk nënkupton se ju po pensionoheni por është një falënderim për ato emocione që na keni dhuruar me vite dhe të ju themi se përvoja juaj na duhet ende, ka shtuar ai.
Gjithashtu ministri theksoi se ka nënshkruar Statutin e ri të TKK-së, dhe njoftoi se në ditët në vijim do të shpallet nënshkruhet rregullorja për ansamblet rezidente, që do ti hapë rrugë shpalljes së konkursit për kompletimin e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar.
Përveç këtyre, Ministri Krasniqi tha se pas finalizimit, në ditët në vijim, do të nënshkruhet rregullorja për procedurat dhe kriteret e themelimit të teatrove. Me këtë, tha ai, do ti hapet rruga që Teatri i Gjakovës, të marrë statusin e teatrit kombëtar.
Ministri Krasniqi shtoi se në këto vjetet e fundit ka pasur një përkushtim të lartë që të rritet përkrahja për artistët, për institucionet e kulturës. Ai përmendi rritjen e buxhetit çdo vit si për institucionet, ashtu edhe për operatorët e pavarur kulturor.
Laureati i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Jahja Shehu u shpreh se ndjehet shumë i lumtur për dy arsye, e para, se në këtë moshë ka pritur edhe njëherë Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, ndërsa e dyta, në vlerësimin e punës së aktorit përmes këtij çmimi.
Shehu falënderoi ministrin që çmimi po merret për çdo vit. Nuk ka rëndësi sa është çmimi, nuk ka rëndësi vlera e çmimit. Unë që tri net nuk kam fjetur i qetë duke menduar që në Kosovën tonë ka ende njerëz që dinë ta çmojnë, vlerësojnë punën shumë të vështirë e me sakrifica të mëdha të aktorit, u shpreh Shehu.
Regjisori Kushtrim Koliqi ka thënë se ka ardhur koha që artistët të jenë më të bashkuar dhe më të zëshëm.
Dua që të shfrytëzoj këtë ditë ditën ndërkombëtare të teatrit që të bëjë një thirrje komitetit artistik që të jemi më të zëshëm, më të fuqishëm që mos të jemi lypës në aspektin falënderues, sepse nuk kemi nevojë që të falënderojmë, sepse ne jemi ata që argëtojmë njerëzit ata që japim ide dhe ata që edukojmë masën, tha Koliqi
Në anën tjetër Rebeka Qena që u shpërblye me çmimin Për suksesin më të mirë në skenën ndërkombëtare u shpreh shumë e emocionuar për vlerësimin .
Realisht dua të them që ne kemi filluar me një ide që të prezantojmë diçka, të themi diçka dhe ajo që ne kemi thënë është pëlqyer shumë, fillimisht nga publiku që na ka dhënë një forcë të madhe, ka thënë Qena.
E kryetarja e jurisë, Burbuqe Berisha, theksoi se nuk ka qenë e lehtë të përzgjidhen fituesit, ngase ka pasur shumë nominime. Aktori Jahja Shehu, tha ajo ka qenë i nominuar pothuajse nga të gjithë teatrot.
Anëtarë të jurisë që ka ndarë këto çmime kanë qenë edhe: Basri Lushtaku, Arben Zharku, Orhan Kerkezi dhe Liridon Cahani.