Isa Qosja, laureat i Çmimit "Bekim Fehmiu"
Prishtinë, 1 qershor - Regjisori Isa Qosja është laureat i sivjetshëm i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore Bekim Fehmiu në Kinematografi. Ndërkaq regjisorja Lendita Zeqiraj ka fituar Çmimin Vjetor për Kinematografi për vitin 2013. Me filmin e saj Ballkoni ajo ka shënuar suksese të shumta ndërkombëtare.
Laureatëve, çmimet u janë ndarë në një ceremoni në MKRS, nga Ministri Memli Krasniqi. Ai tha se këto çmime janë mbi të gjitha një vlerësim për punën që bëjnë krijuesit e filmit në Kosovë, dhe po ashtu një shtytës për gjeneratat e reja në këtë fushë, se puna e tyre do të vlerësohet.
Është një moment i veçantë. Sot shënojmë ditëlindjen e aktorit tonë të madh Bekim Fehmiu, dhe nën emrin e tij ndajmë çmime për njerëz të filmit në Kosovë që me dekada kanë kontribuar për kinematografinë tonë, e po ashtu edhe njerëz të rinj që po shkëlqejnë nëpër botë me krijimet e tyre. Këto mund të mos jenë shpërblimet më të mëdha në karrierën tuaj, por mbi të gjitha është domethënia e këtyre çmimeve, që është një përkujdesje dhe vlerësim nga shteti, tha ministri Krasniqi.
Ai vlerësoi lartë punën e regjisorit Qosja për vite me radhë, e po ashtu edhe të regjisores së re, Lendita Zeqiraj.
Lendita Zeqiraj me filmin e saj Ballkoni ka bërë një bujë të madhe në mbarë botën, duke marrë çmime dhe marrë pjesë në gati 40 festivale.
Suksesi i Lendites është një tregues se ne po ndërtojmë një gjeneratë të suksesshme të regjisorëve. E kjo gjeneratë natyrisht ka pasur mësues të mirë, siç është edhe Isa Qosja që i takon gjeneratës së artë të regjisorëve tanë dhe që ende vazhdon të japë për kinematografinë.
Qosja mbetet padyshim një emër që përfaqëson Kosovën në kinematografi dhe që ka një bagazh të madh pas vetës në krijimtarinë filmike, por edhe në edukimin dhe arsimimin e brezave të filmbërësve të rinj, ka thënë ai.
Regjisori Isa Qosja u shpreh mjaft i nderuar për këtë vlerësim.
Për mua një çmim i tillë ka domethënie të jashtëzakonshme, sepse kur të shpërblen vendi yt ky mendoj se është çmimi më i madh që një artist mund të marrë. Jam i nderuar dhe duhet ta falënderoj institucionin i cili ma beson këtë çmim, i cili vërtetë viteve të fundit ka rritur përkushtimin e tij për kinemanë ka pohuar Qosja.
Ne jemi njerëz që kemi këtë profesion, duam të bëjmë filma. Unë e kuptoj gjendjen në Kosovë dhe Ministrinë që nuk ka mundur të punojë maksimalisht në të gjitha fushat, por sidomos për filmin dhe kinemanë është bërë shumë dhe kjo ka dhënë shenja të mira edhe ndërkombëtarisht ka pohuar regjisori Qosja.
Edhe regjisorja Zeqirja tha se për të ky është një cmim shumë i rëndësishëm.
Jam shumë e lumtur për këtë çmim. Unë tanimë kam marrë disa çmime por ky është më i rëndësishmi për karrierën time artistike ka pohuar Zeqiraj në ceremoninë e së dielës.
Ky është viti i dytë që ndahen këto çmime dhe bazuar në rregullore, ceremonia e dhënies së shpërblimeve mbahet me datë 1 qershor, ditëlindjen e aktorit tonë të shquar, Bekim Fehmiu.
Procesi i ndarjes se çmimeve fillon me propozimet që sjellin individët dhe institucione të ndryshme dhe më pas një juri e emëruar nga Ministri përzgjedh fituesit.
Këtë vit juria kishte këtë përbërje: Agron Vula, Blerim Gjoci, Zana Radogoshi, Astrit Kabashi dhe Ardianë Pajaziti.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore Bekim Fehmiu ka vlerë financiare 5 mijë euro, ndërkaq ai vjetor në kinematografi, 2500 euro.