Heroi fillon turneun nëpër Kosovë

Prishtinë, 25 mars - Pas përfundimit të prezantimit të filmit Heroi, në kinemanë ABC për një muaj rresht, ky film ka nisur turneun nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Filmi Heroi më 25 të këtij muaji do të prezantohet në Pejë, më 26 në Prizren e më 27 mars në Klinë.
Regjisori Kryeziu ka bërë me dije se filmi Heroi të enjten është prezantuar në Malishevë, ndërkaq ditët në vijim do të prezantohet edhe në disa qytete, varësisht se si janë bërë kërkesat e komunave apo kinemave nëpër qytetet përkatëse.
Filmi flet për heroin e luftës i cili në paqe është zhgënjyer me tretmanin e institucioneve dhe të shoqërisë karshi tij dhe familjes së tij që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.
Filmi Heroi është dhënë premierë më 18 shkurt në shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në filmin Heroi, me skenar dhe regji të Kryeziut, me rolet e tyre paraqiten: Arben Bajraktaraj, Adriana Morina, Çun Lajçi, Enver Petrovci, Salahudin Bilali etj.