Greqia tërhiqet nga “Eurovisioni”
Athinë, 30 nëntor - Greqia ka shumë pak gjasa që të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të festivalit europian “Eurovision”, deklaroi zëdhënësi qeveritar Simos Kedikoglou ditën e premte.
Lajmi u raportua nga e përditshmja greke “Ekatherimeni”.
”Televizioni publik nuk duhet të marrë pjesë në “Eurovision” për të respektuar ndienjat e publikut”, deklaroi Kedikoglou.
Për zëdhënësin qeveritar, nuk është e drejtë që të përdoren fondet qeveritare për të dërguar këngëtarin fitues në Malmo, qytetin suedez ku do të mbahet edicioni i ardhshëm.
Deri tani, Portugalia dhe Polonia kanë konfirmuar tërheqjen e tyre, ndërsa Qipro gjithashtu pritet të tërhiqet për arsye financiare.
Greqia fitoi “Eurovisionin” për herë të parë dhe të vetme në vitin 2005, me këngën “Number One” të Helena Paparizous.