Filmi ‘Bota’ me premierë kosovare në Prizren
Prishtinë, 13 janar - Filmi ‘Bota’ nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci vjen me premierë kosovare në Prizren, nesër, me fillim prej orës 19:30 në DokuKino.
‘Bota’ pati premierën ndërkombëtare në festivalin e madh Karlovy Vary në vitin 2014 dhe ka vazhduar shfaqjen nëpër festivale tjera të mëdha. Deri më tani ky film numëron rreth 24 festivale ndërkombëtare në mesin e të cilave edhe Helsinki International Film Festival, Cottbus Film Festival, Palm Spring International Film Festival etj.
Njihet për çmimet e fituara si: ‘East of the West Award’ në Karlovy Vary, ‘Fipresci Prize’ dhe ‘Çmimin e Publikut’ në Reykjavik International Film Festival, ‘Filmi më i mirë’, ‘Aktorja më e mirë’, ‘Muzika më e mirë’ si dhe ‘Çmimi i Publikut’ në Albanian Film Week etj.
Në rolet kryesore janë: Flonja Kodheli, Artur Gorishti dhe Fioralba Kryemadhi.
Ky film ka për producent Sabina Kodra dhe bashkëproducent Andrea Stuckovitz dhe Burim Berisha, është prodhim i kompanive ‘ERAFILM’, “Pmi” dhe ‘Flex Film Production’ dhe i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike në Shqipëri dhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës.