05 Maj 2024

Femrat shqiptare më të pushtetshme në Maqedoni

Shkup, 26 qershor - Tashmë është bërë e zakonshme që edhe femrat shqiptare në Maqedoni të udhëheqin poste të rëndësishme në politikë, me ç`rast në mesin e më të dalluarave janë: Teuta Arifi, Ermira Mehmeti, Mirushe Hoxha, Lindita Qazimi, Flora Kadriu, etj.

Janë disa nga femrat e politikës dhe sidomos ato që gëzojnë poste të larta në partitë politike. Ato janë të pranishme në skenën e acaruar politike shqiptare, mirëpo kryesisht nuk hyjnë në pjesën e kritikave, akuzave dhe betejës së ashpër politike, ku nuk kursehet asgjë.

Femra shqiptare në politikë është një tribun i respektuar dhe shpeshherë ajo ka respektin e saj, duke mos u involvuar për të keq në politikë, por vetëm duke respektuar parimin e përfaqësimit të grave, që kërkohet sipas modeleve të funksionimit demokratik të partive politike.

 

Teuta Arifi

Gazetarja dhe më pas profesoresha e Universitetit “Kirili dhe Metodi” dhe më pas UEJL-së në Tetovë, Teuta Arifi papritmas dhe befas u fut në politikë në vitin 2001, atëherë kur konflikti ishte në përmasat e larta midis UÇK-së dhe forcave shtetërore të sigurisë. Ajo disa herë ishte propozuar në grupin negociator të ekspertëve dhe intelektualëve shqiptarë për qetësimin e situatës në kuadër të takimeve me presidentin e ndjerë Boris Trajkovski, por më pas edhe me partitë politike. Me themelimin e BDI-së ajo papritur u rreshtua në radhët e kësaj partie, duke i`u shmangur profesionit të saj dhe duke u ngjitur në kreun më të lartë të subjektit të ri që doli nga UÇK-ja. Ajo ishte sugjeruar që të përfshihet në subjektin shqiptar të dalë nga lufta. Tempoja e saj politike ka qenë në një variabël të pandryshuar, edhe pse disa herë dhe së fundi ajo ka shfaqur mospajtimet me politikën e kreut të partisë së saj dhe veprimet në kuadër të institucioneve të qeverisjes.

 

Ermira Mehmeti

Ermira Mehmeti, një zëdhënëse e re dhe si politikane premtuese gjithashtu i hyri ujrave të politikës në vitin 2002, me themelimin e BDI-së. Ajo ishte treguar mjaft aktive dhe e gjindshme me veprimet e saj në politikë, edhe përkundër moshës dhe papërvojës së saj. Gjatë karrierës së saj politike ajo është treguar mjaftë energjike dhe luftarake në mbrojtjen e platformës politike të subjektit të i takon. Vazhdimisht është aktive në shumë debate politike në media të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu është e pranishme në shtypin e përditshëm në Maqedoni me kolumnat e saja që kanë të bëjnë me aktualitet në vend. Ajo arriti të kurorëzohet për herë të parë edhe me postin e deputetes në zgjedhjet e fundit, ndërsa për shkak të angazhimeve familjare dhe dëshirës për të qëndruar pranë bashkëshortit të saj në Tiranë, ku kryen misionin e tij diplomatik, Ermira nuk është aq e ekspozuar së fundi në debatet apo skenën e përgjithshme politike.

 

Mirushe Hoxha

Nga një profesoreshë universitare, Mirushe Hoxha i hyri gjithashtu politikës. Ishte kandidate presidenciale nga Partia Demokratike Shqiptare dhe një nga kandidatet e para femër. Ajo me karizmin e saj ka arritur që të tregojë diçka në politikë, mirëpo deri tani nuk ka arritur që të shpërthejë me shpalosjen e qëndrimeve të saja politike. Mirushe Hoxha kohëve të fundit as që është vërejtur aktive në skenën politike dhe brenda partisë së saj, ndërsa siç bëhet e ditur ajo sërish i është përkushtuar shkencës dhe synimeve të saj në sferën shkencore, duke qëndruar jashtë vendit për specializime të ndryshme.

 

Flora Kadriu

Nga aktrimi kalon në politikë dhe se ajo ka dalë në skenë më e qartë dhe më aktive, që kur u zgjodh si deputete e Parlamentit. Tanimë është njëra ndër gratë më aktive në politikën shqiptare, e cila nuk heziton ti përgjigjet çdo pyetje apo problemi që shtrohet nga mediat, por edhe qytetarët. Deputetja Flora Kadriu ka arritur që të ngrejë zërin e saj si grua shqiptare edhe në Parlamentin e Maqedonisë, e cila në detyrën e shefes së kabinetit, ka shtruar dhe propozuar shumë çështje të rëndësishme.

 

Lindita Qazimi

Lindita Qazimi është funksionarja më e re, e cila në moshën e saj rreth 27 vjeçare u zgjodh në postin e zëvendësministres. Ajo rrallë herë duket në publik, por edhe kur del sidomos shfaqet për temat, problemet apo inaugurimet në sferën e arsimit. Duke qenë në pozitën e lartë në ministrinë e Arsimit ajo vazhdimisht ka shprehur vullnetin për të zgjidhur shumë probleme dhe sfida, të cilat megjithatë kanë ngelur në duart e ministrit Nikolla Todorov, apo ish-ministrit Pero Stojanovski. Qazimi ka qenë në shënjestër të kritikave për shumë problemet e krijuara në sferën e arsimit, sidomos atij shqiptar.(INA)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)