Fehmiu e Begolli, ikonat e kinematografisë kosovare

Prishtinë, 1 qershor - Në një ceremoni solemne, të shtunën në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau Çmimet për Kinematografi. Çmimi për Vepër Jetësore Bekim Fehmiu iu nda post mortem aktorit Faruk Begolli, si dhe Çmimi Vjetor për Kinematografi iu nda regjisorit Ujkan Hysaj.
Kjo ngjarje përkujtoi edhe aktorin tonë të shquar Bekim Fehmiu, pikërisht në datën e tij të lindjes.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte e pranishme edhe Branka Petric, gruaja e Bekim Fehmiut, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe artistë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha në fjalën e tij se Bekim Fehmiu është ikona e kinematografisë në Ballkan dhe se me punën e tij ai ka ndryshuar botëkuptimet e njerëzve.
Ai na e ka sjellë pjesën e bukur të botës, të kësaj jete, na ka rrëfyer për lirinë, për dashurinë dhe për pasionin e fortë për artin, filmin, madje edhe për sportin. Bekim Fehmiu nuk është vetëm ikona e kinematografisë së Ballkanit.\"
\"Ai është një nga njerëzit e rrallë që, duke mbrojtur identitetin e vet, popujve në këtë pjesë të Evropës ua ka sjellë njeriun e lirë, njeriun universal. E vendit të tij, Kosovës, Bekim Fehmiu i fali emrin, i solli plot miq, dhe për me tepër, një aktor model, rreth të cilit ne kemi edukuar e do të edukojmë gjenerata të tëra të artistëve, tha ai, duke e vlerësuar karrierën e tij si magjike.
Nëse një pjesë e madhe e aktorëve, anembanë botës, kanë qenë dhe janë material për faqet rozë të gazetave, Bekimi ka qenë ndryshe. Ai vërtetë, duhet thënë sinqerisht, ka qenë dhe mbetet një nga aktorët intelektual.
Ministri deklaroi se tashmë shteti po institucionalizon Çmimet për Kinematografi dhe atë duke i lënë njërit prej çmimeve, emrin e Bekim Fehmiut.
Themelimi i këtyre çmimeve në mënyrë institucionale këtë vit, mendoj se përben një hap meritor që ne bëjmë për ta nderuar figurën e Bekim Fehmiut. Ne i kemi borxh atij, dhe shoqëria jonë, institucionet tona dhe komuniteti artistik, duhet që emrin e tij, gjithë atë trashëgimi që na e ka lënë, ta nderojmë çdo ditë.\"
\"Pa dyshim, skishte datë më të mirë për të ndarë këto Çmime se sa vet data e lindjes së Bekimit, që tash e mbas, shpresoj do të festohet gjithmonë duke nderuar emrin e tij, por edhe të atyre që do të laureohen me këto Çmime.
Duke folur për aktorin Faruk Begolli, Krasniqi tha se ai është emri identifikues i teatrit dhe filmit në Kosovë.
Kushdo që është i informuar, e më së shumti studentët e tij dëshmojnë më së miri se gjithë skena e filmit dhe e teatrit e ndërtuar këtu në Kosovë në 20-30 vitet e fundit, më së miri identifikohet me një emër, me Faruk Begollin. Njeriun që ngriti Akademinë e Arteve këtu në Kosovë. Njeriun ndoshta më pasionant për artin, pedagogun më të dashur për shumë gjenerata aktorësh që ka sot Kosova.\"
\"Faruk Begolli, ishte dhe do të mbetet i veçantë për mënyrën se si jetoi e punoi. Ndoshta pashmangshëm është njeriu i parë që, më respektin dhe mirënjohjen më të madhe, ia ndajmë sot Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në Kinematografi Bekim Fehmiu. Andaj, ky eveniment sot, vërtetë është një mishërim i dy emrave ikonë për kulturën tonë, për artin tonë, për vet identitetin tonë, tha ai.
Ministri ka thënë se figura si Bekimi dhe Faruku duhet të shërbejnë inspirim për gjenerata të reja, duke premtuar kështu përkrahje institucionale për artistët e rinj.
E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe gruaja e Bekim Fehmiut, Branka Petric. Ajo ndau me të pranishmit momente nga jeta e saj me Fehmiun.
Petric tha se ndihet e nderuar dhe që emërimi i çmimit për vepër jetësore sipas aktorit Fehmiu është një vlerësim tejet i lartë.
Petric tha se gjeneratat e reja duhet të punojnë shumë dhe të marrin mësime nga Fehmiu e Begolli.
Duke folur për Bekim Fehmiun, ajo tha se ai e ka marrë shumë me përkushtim aktrimin. Kur duhej të luante në ndonjë film në gjuhë të huaj, e mësonte shpesh atë gjuhë.
Ndërkaq, rreth kulturës, ajo tha se vendet e Ballkanit duhet të shtojnë investimet për artin në përgjithësi.
Çmimi për Vepër Jetësore në Kinematografi iu nda Faruk Begollit, të cilin e pranoi vëllai i tij Adil Begolli. Ai tha se po të ishte gjallë Begolli do ta çmonte shumë këtë çmim pasi që është një nderim që po i bën shteti atij.
Ndërsa, çmimin vjetor për kinematografi e fitoi regjisori Ujkan Hysaj.
Ai tha se për të ky është një vlerësim i madh që e shtyn që të punojë edhe më shumë në projekte të reja duke ndjekur shembullin e artistëve të mëdhenj si Bekim Fehmiu e Faruk Begolli por edhe të tjerëve që kanë lënë gjurmë në kinematografi.
Çmimet për Kinematografi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po ndahen për herë të parë.
Çmimi për Vepër Jetësore Bekim Fehmiu vlerën monetare e ka 5 mijë euro ndërkaq Çmimi Vjetor në Kinematografi 2 mijë e 500 euro.
Anëtarë të jurisë të emëruar nga Ministri, për ndarjen e çmimeve kanë qenë; Valon Jakupaj, Orhan Kërkezi, Liridon Cahani, Korab Lecaj, Visar Krusha.