Falsifikohet “Kosovarja” edhe në Kosovë
Prishtinë, 30 maj - Redaksia e Revistës “Kosovarja” në Prishtinë njofton lexuesit e vet dhe opinionin se të enjten, më 30 maj 2013, një numër i konsiderueshëm ekzemplarësh të revistës fals “Kosovarja”, që botohet në Diasporë, kanë hyrë ilegalisht në tregun e Kosovës.
Për këtë skandal është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Andaj, Redaksia e Revistës “Kosovarja” në Prishtinë njofton lexuesit dhe opinionin se “Kosovarja” e ardhur nga Zvicra është manipulim i Xhevdet Mazrekut, botues i gazetës “Bota Sot” në Diasporë.
Revista “Kosovarja”, me traditë të pasur botimi që nga viti 1971, u ka bërë ballë furtunave të ndryshme të kohës dhe ka mbijetuar në saje të lexuesve të vet të përhershëm.
Por, kohëve të fundit ka pësuar dëm në tregun e Diasporës nga manipuluesi Xhevdet Mazreku, i cili pas skadimit të kontratës me Redaksinë në Prishtinë, ka filluar ta falsifikojë Revistën “Kosovarja” në Diasporë, madje duke ia ofruar të njëjtën tash edhe tregut të Kosovës!
Redaksia e “Kosovares” në Prishtinë, me rastin e hedhjes në treg në Kosovë të një numri të konsiderueshëm ekzemplarësh të “Kosovares” fals nga Zvicra, ka ngre kallëzim penal dhe të njëjtin do ta bëjë së shpejti edhe në Zvicër.
\"Prandaj, deri te marrja e vendimit gjyqësor, duam që lexuesi ynë, i cili edhe e ka mbajtur gjallë “Kosovaren” me dekada, e që ka bërë që revista jonë të jetë më e lexuara te ne dhe kudo ku ka shqiptarë, të jetë i informuar për këtë skandal të Xhevdet Mazrekut\", thekson redaksia e Revistës “Kosovarja”.