Ekzekutivi i Prizrenit mbështet Ditën e Rinisë 2013

Prishtinë, 28 gusht - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Qeveria komunale e Prizrenit ka miratuar propozimin e DKRS-së për mbështetje financiare rreth organizimit të manifestimit Dita e Rinisë 2013, i cili këtë vit shënohet për herë të dymbëdhjetë si aktivitet gjithëpërfshirës në Sektorin e Rinisë, në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe MKRS-së.
Bartës të projektit do të jenë: Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, Qendra Rinore, Këshilli i nxënësve të shkollave të mesme dhe OJQ-të rinore.
Aktivitetet do të përfshijnë: Përurime të objekteve rinore, Konferencë, Gara sportive, Ekspozitë, kampanjë informuese rreth punës së akterëve rinor, aksion për dhurim vullnetar të gjakut si dhe në përmbyllje koncertin në sheshin Shadërvan. E gjithë nisma do të përkrahet dhe mbulohet nga komuna në shumë prej 2,500 euro.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe propozimi i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për formimin e komisionit tre anëtarësh për hartimin e Planit të veprimit për banim si dhe është proceduar në Komitetin për Politikë dhe Financa programi i projektit për banim në komunën e Prizrenit për periudhën tre vjeçare 2013-2015.
Ka kaluar edhe propozimi nga kjo drejtori për udhëtimin zyrtar të dy zyrtarëve për në Dresden të Gjermanisë për trajnim gjashtë ditor, me temë Programi për Mbrojtje sociale dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë, për pagesë të mëditjeve.
Me 1 000 euro mbështetje financiare nga ky takim e propozuar nga DPMS, veteranëve të luftës nga komuna e Prizrenit, u mundësohet shkuarja për pushime në bregdet.
Drejtorisë për Emergjenca i është aprovuar kërkesa për lejimin e hapjes së tenderit për furnizim me uniforma verore dhe dimërore për zjarrfikësit, si dhe kërkesa në lidhje me nxjerrjen e konkluzionit për ushqimin e tyre ne terren.
Nga Drejtoria për Bujqësi është kërkuar nxjerrja e konkluzionit në lidhje me punësimin e katër punonjësve sezonal respektivisht rojtarë pyjesh me afat kohor të punës për tre muaj.
Qeveria lokale ka miratuar edhe propozimin e Drejtorisë së Administratës për lejimin e shpalljes së tenderit për izolimin me grila të zyrave të gjendjes civile në Lubizhdë të qytetit, në Reçan, në Mushnikovë dhe në Lubinjë e Poshtme, të gjitha për sigurimin e objekteve të zyrave në fjalë.
Në këtë takim janë miratuar edhe disa kërkesa në lidhje me mbështetjen financiare të pacientëve me sëmundje të rënda.