Ekspozita e Havel-it në Prishtinë

Prishtinë, 11 maj - Drama e mirënjohur, Vernisá (Ekspozita), e shkrimtarit të madh Çek, Václav Havel, nën regji të Prof. Ass. Astrit Kabashi, do të inskenohet për herë të parë në Kosovë dhe do të ketë premierën më 20 Maj 2014, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - Dodona.
Prishtinë, 10 Maj, 2014 Václav Havel ishte presidenti i fundit i Çekosllovakisë, presidenti i parë i Republikës Çeke, meritues i shumë çmimeve ndërkombëtare, si dhe autor i shumë veprave të përkthyera në gjuhë të ndryshme botërore.
Mbështetja e vazhdueshme Havel-it për Kosovën vlerësohet dhe çmohet shumë nga institucionet dhe populli i Kosovës, për të cilën gjë ai u shpërblye me dekoratën e lartë Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova. (A. Jahjaga. 2011. Václav Havel ishte mik dhe mbështetës i madh i Kosovës.)
Vernisá (Ekspozita) është dramë e përkthyer nga Melihate dhe Nehat Qena që do të inskenohet për herë të parë në Kosovë më 20 Maj 2014, me regji të Prof. Ass. Astrit Kabashi, në role kryesore May-Linda Kosumovic, Dukagjin Podrimaj, dhe Dardan Gashi, asistent regjie Besfort Daka, skenografi dhe kostumografi Yllka Brada dhe ndriçim Skender Latifi. Shfaqja është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Radio Televizioni 21, Fakulteti i Arteve në Prishtinë si dhe Teatri i Qytetit të Prishtinës - Dodona (ku shfaqja do të jetë pjesë e repertoarit).
Vernisá (Ekspozita) është njëra nga tri dramat një-aktëshe të Havel-it, bashkë me Audiencën dhe Protestën, ku personazhi i njejtë, Ferdinand Vaněk-u (i cili e pasqyron vetë Havel-in) shfaqet në të trija. Ekspozita është kronologjikisht drama e dytë një-aktëshe, e cila e dërgon shkrimtarin në një vizitë tek disa miqë, një qift i martuar të cilët i tregojnë atij banesën e tyre të re, mobilimi i së cilës ka kërkuar shumë mund.
Ata mundohen të bindin Vaněk-un që të përcjell shembullin e tyre. Gjatë veprës, bëhet më e qartë se pranimi dhe vlerësimi i pamjes së tyre mendohet të legjitimizoj menyrën e tyre të jetesës, e cila është pak a shumë në bashkëpunim me regjimin.
Refuzimi i sjellshëm dhe modest i Vaněk-ut provokon agresion të papritur nga të dy, burri dhe gruaja.