21 Prill 2025

Çekja shkruan libër me personazh kosovar

Albana RRAHMANI

Prishtinë, 18 nëntor - Autorja çeke Marketa Hejkalova ka promovuar të hënën në Prishtinë librin “Një kosovar në jetën time”, i cili flet për lidhjen e dështuar të një kosovari dhe një çekeje, e cila përfundon me braktisjen e fëmijës së tyre.

Autorja e librit Marketa Hejkalova ka deklaruar se, përveç linjës së jetës private, libri ka edhe një linjë tjetër, e cila lidhet me diplomacinë, Bashkimin Evropian dhe me politikë, e në këtë linjë ka një kombinim midis imagjinatës dhe realitetit. “Ne shkrimtarët kemi imagjinatën tonë. Jo çdo gjë në libër është e vërtetë. Diplomatët çekë nuk janë aq të këqij në realitet siç janë paraqitur në libër”, ka theksuar autorja.

Për librin ka folur edhe kryetari e PEN-it, Basri Çapriqi, i cili e ka konsideruar autoren një mjeshtre të jashtëzakonshme të rrëfimit, ndërsa librin një mundësi për krijimin e kontaktit kulturor midis Kosovës dhe Çekisë.

Ai e ka falënderuar Ministrinë e Kulturës së Çekisë dhe Ambasadën Çeke për përkthimin e librit në shqip që, sipas tij, është një politikë shumë e mirë dhe e dobishme për të dyja vendet.
 
“Romani hap një hark kohor nga vitet e ’80-ta. Ne dhe çekët jemi pjesë e një krahu politik tjetër dhe përfundon me vendimet e mëdha diplomatike në Bruksel për fatin e Kosovës”, është shprehur Çapriqi.

“Një kosovar në jetën time” flet për një femër çeke, e cila ngelet shtatzënë me një kosovar, i cili e braktis atë dhe, për pasojë, edhe ajo e braktis fëmijën e saj. Ky roman tregon histori intime, private dhe shtetërore.

Në promovim të librit, krahas ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe personaliteteve të njohura të jetës kulturore, ka marrë pjesë edhe ambasadorja çeke për Kosovë, Jana Kalman, e cila ka thënë se Ambasada Çeke do të vazhdojë ta përkrahë botimin e librave edhe në të ardhmen, duke konsideruar se Kosova si një shtet me demokraci të re ka gjetur përkrahjen e Çekisë në shumë fusha.

Titulli origjinal i librit është “Dukaz Zivota” (Dëshmi nga jeta), por në shqip është ndryshuar në “Një kosovar në jetën time”. Këtë roman e ka botuar shtëpia botuese “OM”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)