Bullitt Film bën film për bisedimiet mes Kosovës dhe të Serbisë

Kopenhagë, 13 nëntor - Një regjisore daneze ka bërë një film dokumentar për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluara në Bruksel. Premiera e filmit Marrëveshja i regjisores Karen Stokkendal Poulsen është shfaqur në Kopenhagë.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e shoqëruar nga Dren Zeka, këshilltar kryesor politik dhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani dhe Danimarkë, Skender Xhakaliu dhe Ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë Arben Cici, morën pjesë në premierën e filmit dokumentar me titull Marrëveshja të regjisores daneze, Karen Stokkendal Poulsen e cila u mbajt në Kopenhagë më 8 nëntor 2013, në kuadër të Festivalit të filmit Dokumentar CHP-DOX.
Filmi dokumentar Marrëveshja i realizuar nga kompania daneze e filmit Bullitt Film trajton procesin e bisedimeve teknike mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe në të janë paraqitur momente nga procesi negociator për dy nga marrëveshjet e arritura, të marrëveshjes së IBM-it dhe atë të bashkëpunimit rajonal.
Po ashtu, filmi trajton kontekstin historik të çështjes së Kosovës si dhe përshkruan biografitë e kryenegociatorëve të tria palëve, Kosovës, BE-së dhe Serbisë.
Pas premierës së filmit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri së bashku me ish-ndërmjetësin e BE-së të dialogut teknik Robert Cooper dhe regjisoren Karen Stokkendal Poulsen, mori pjesë në debatin e organizuar me këtë rast ku u bënë vlerësimet dhe kritikat për filmin si dhe u shtruan pyetje nga më të ndryshme nga ana e pjesëmarrësve.
Gjatë qëndrimit në Kopenhagë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim me Vibeke Vogel, drejtoreshë e kompanisë filmike Bullitt Film, të cilën e falënderoi për mbështetjen për filmin Marrëveshja duke e vlerësuar si kontribut të rëndësishëm për paqen dhe menaxhimin e konflikteve ndërkombëtare.