Botohet studimi për raportimin e New York Times mbi shqiptarët
Prishtinë, 11 mars - Libri Imazhi i shqiptarit dhe i Shqipërisë në New York Times, në kohën e shpalljes së pavarësisë (1911-1913) me autor Bardh Rugovën dhe të botuar si pjesë e bibliotekës Varg nga SHB Trembelat, është promovuar të martën.
Ngjarja e promovimit është mbajtur në kafe/librarinë Dit e Nat në Prishtinë në mesin e një numri të madh të interesuarish.
Libri përfshin artikujt e botuar në gazetën e njohur amerikane New York Times në periudhën prej vitit 1911 deri në vitin 1913. Përveç analizave të diskursit të përdorur në atë kohë aty ka edhe të dhëna konkrete mbi përdorimin e termit shqiptar, albanian, arnaud gjatë rapotimit të gazetës.
Në promovim lexuan analizat e veta për librin edhe profesorët e gjuhësisë Rrahman Paçarizi dhe Shkumbin Munishi të cilën sqaruan me një gjuhë më profesionale studimin e bërë nga profesori Rugova. Një fjalim të shkurtër mbajti edhe profesori i njohur Rexhep Ismajli, i cili përveç fjalëve të mira për studimin dhe për brezin e ri të studiuesëve dha edhe një koment të shkurtër për Universitetin e Prishtinës.
Ismajli tha se Universiteti i Prishtinës është degraduar, por përmes studimeve të tilla duhet të tregojmë që ende ka studiues dhe vlera në këtë universitet.
Libri me dizajnin karakteristik është botim i parë SHB Trembelat si pjesë e bibliotekës Varg. Përndryshe, kompania Trembelat njihen më shumë si ekip kreativ dizajnerësh grafik dhe programerësh që tash së fundi kanë filluar ta zgjerojnë fushën e tyre të veprimit edhe në botime.