Bashkëpunojnë në promovimin e skenës kulturore të Kosovës
.jpg)
Prishtinë, 21 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Drejtorin rajonal të Këshillit Britanik, Michael Bird dhe Drejtoreshën e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin që MKRS-ja dhe Këshilli Britanik kanë në fushën e kulturës. Ministri Krasniqi falënderoi zotin Bird për mbështetjen që i ka dhënë Këshilli Britanik skenës kulturore në Kosovë, me theks promovimit të saj.
Ai foli për të arriturat dhe sfidat në fushën e kulturës, duke shprehur vullnetin për angazhim edhe më të madh dhe zgjerim të bashkëpunimit me shumë akterë tjerë.
Ministri vlerësoi lartë kontributin KB-së për hapjen e një ekspozite të artistit të shquar Henry Moore, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me saktë ekspozitën Grafika dhe skulptura të përzgjedhura.
Ekspozita do të hapet të enjten, më 27 mars 2014, në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Po ashtu ministri falënderoi Këshillin Britanik për mbështetjen që do të jep në organizimin e sesionit të 13-të të European Cultural Parliament në tetor të këtij viti, në Kosovë.
Nga ana tjetër, Michael Bird falënderoi ministrin për pritjen dhe bashkëpunimin e ofruar. Ai çmoi të arriturat në fushën e kulturës dhe shprehi gatishmërinë që bashkëpunimi mes Këshillit Britanik dhe MKRS-së të rritet edhe më shumë, në veçanti në sferën e shkëmbimeve kulturore.