Baleti i Kosovës, një shembull i punës dhe suksesit
Prishtinë, 20 gusht - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka takuar sot trupën e Baletit të Kosovës dhe drejtorin e kësaj trupe Ahmet Brahimaj, për ti përgëzuar ata pas paraqitjes dinjitoze që kanë pasur në festivalin ndërkombëtar Alto Jonio Dance Festival të Italisë. Në këtë festival Baleti i Kosovës ka dhënë tri shfaqje.
Në këtë prezantim të shfaqjeve Coppelia, Dasma dhe Aty ku bie drita drejtorit të Baletit të Kosovës i është dhënë çmimi i karrierës.
Ministri Krasniqi tha se Baleti i Kosovës me këtë rast i ka bërë një prezantim shembullor vet institucionit por në përgjithësi edhe Kosovës dhe skenës sonë kulturore.
Ai tha se Baleti i Kosovës është një nga institucionet shembull për punë dhe suksese, duke shtuar se MKRS në vazhdimësi ka punuar që të rritet mbështetja për këtë institucion të vendit, dhe që një gjë e tillë ka ndodhur në këto dy vitet e fundit.
Ministri në veçanti e ka përgëzuar për punën e madhe që ka bërë, drejtorin e Baletit, Ahmet Brahimaj, një punë që me dekada ka mbajtur gjallë baletin, duke sfiduar edhe kohërat më të vështira, e po ashtu edhe duke punuar në një ringjallje të këtij institucioni.
Me këtë rast ai ka uruar drejtorin Brahimaj për çmimin që e ka marrë, duke thënë se është inkurajuese që ai ka një përkushtim të lartë për të dhënë edhe më shumë kontribut në zhvillimin e baletit në Kosovë.
Ministri tha se MKRS po punon që për trupën e Baletit të ketë edhe një vlerësim dhe trajtim edhe më të mirë financiar, pas rritjes së pagave dhe nënshkrimit të kontratave të përhershme që ka ndodhur në vitin 2011.
Ndërkaq, drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj ka njoftuar Ministrin Krasniqi me paraqitjen në këtë festival si dhe me planet që kanë për këtë vit, në realizim të programit të tyre vjetor.
Ai tha se po punojnë që sa më shumë të ketë zhvillim të gjithë gjeneratës dhe që publiku në Kosovë të ketë program më të pasur kulturor.
Po ashtu, ai tha se do të punojnë që prezantimet në festivale e skena të ndryshme botërore të jenë sa më të mira.
Brahimaj ka falënderuar ministrin Krasniqi për kujdesin e veçantë që ka treguar për trupën e Baletit, si dhe për angazhimet që mbështetja të jetë me e madhe edhe në vitet në vazhdim.
Ai tha se më këtë përkrahje Baleti i Kosovës, për herë të parë, këtë vit po jep katër premiera.