Artistët interesohen për memorialin Heroinat

Prishtinë, 20 shtator - Departamenti i Planifikimit Hapësinor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot mbajti takim informativ me artistë, skulptorë e akitektë për të rishqyrtuar projektin e Memorialit në shenjë nderimit të kontributit të gruas gjatë periudhës së luftës 1998-1999.
Në takim morën pjesë 12 artistë, të cilët bashkë së bashku me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, dhe përfaqësues të Departamentit të Planifikimit, u dakorduan që memoriali duhet të bazohet në kritere që nderojnë në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas gjatë luftës në Kosovë, si ruajtja, bartja e fëmijëve, pleqve, të plagosurve, sigurimi i ushqimit, etj.
Në mënyrë të veçantë u vendos edhe përfshirja e kriterit për nderimin e sakrificës së vajzave dhe grave që luftuan me armë dhe ranë dëshmore, si dhe për nderimin dhe respektimin e sakrificës së grave të dhunuara, që duhet ta përmbajë memoriali.
Ky takim informativ mblodhi artistë të ndryshëm dhe rezultoi shumë informativ për të gjitha palët e interesit.
Ndërkaq, artistët tjerë të interesuar të kontribojnë në këtë memorial me ofrim të ideve, mund të marrin detyrën projektuese në zyrat e Departamentit të Planifikimit Hapësinor, në çdo ditë pune.