Arben Zharku zgjedhet drejtor i Qendrës Kinematografike

Prishtinë, 4 janar - Në një intervistë për KultPlus, drejtori i ri QKKS-së, ka thënë se ndër prioritetet e punës së tij do të jetë rritja e fondit për prodhimin e filmave kosovarë. Arben Zharku është zgjedhur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Jehona Shyti, zëdhënëse e Ministrit të Kulturës.
Zharku më herët kishte qenë kryetar i Bordit të QKKS-së por kohë më parë kishte dhënë dorëheqje nga kjo detyrë. Ai është themelues dhe drejtor i festivalit ndërkombëtar të studentëve për teatër dhe film SKENA UP.
Në një intervistë për KultPlus, drejtori i ri QKKS-së, ka thënë se ndër prioritetet e punës së tij do të jetë rritja e fondit për prodhimin e filmave kosovarë.
Është shumë me rëndësi të shikohet që ky fond të rritet ende, duke gjetur edhe donatorë të tjerë, dhe burime tjera për përkrahjen e kinematografisë ka theksuar Zharku duke shfaqur shpresën se do ta ketë më të lehtë punën pasi siç u shpreh, paraardhësi i tij Fatos Berisha ka bërë punë shumë të mirë.
Sa i përket mungesës së filmave të prodhuar në Kosovë, Zharku fajin për këtë e hedh te legjislacioni i deritashëm për kinematografinë.
Fakti që shumë projekte janë vonuar më shumë ndërlidhet me ligjin aktual për kinematografi i cili nuk ka qenë i menduar mirë kur janë dhënë afatet kohore për realizimin e një filmi. Sidomos me fazën përgatitore për xhirim që është shumë e shkurtë e paraparë me ligjin aktual, tha Zharku.
32 vjeçari shtoi se do ti respektojë kontratat që filmbërësit i kanë me QKK-në dhe rekomandimet e Këshillit Drejtues në lidhje me projektet që janë vonuar.Zharku shpreson se me ligjin e ri këto gjëra do të ndryshojnë pasi siç u shpreh është më me rëndësi të merren masa preventive sesa ndëshkuese.
Më 27 dhjetor 2013,Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin e ri për kinematografinë dhe ia ka proceduar Kuvendit për miratim. Me këtë Projektligj trajtohen të gjitha aspektet e veprimtarisë kinematografike, respektivisht organizimi, financimi, prodhimi, distribuimi dhe shfaqja e veprave kinematografike, bashkëpunimi ndërkombëtar, inkurajimi dhe promovimi i krijimtarisë kinematografike si dhe mbrojtja e trashëgimisë kinematografike kosovare. Projektligji krijon kosto financiare për vitet 2014-2016 në shumën prej rreth 2 milionë e 860 mijë eurosh, të cilën masë monetare MKRS e ka planifikuar me Kornizën Buxhetore të dy viteve të ardhshme.
(Kultplus)