02 Maj 2024

Termokosi më 15 tetor nis sezonin e ngrohjes

Prishtinë, 8 tetor - “Termokos” i ka bërë të gjitha përgatitjet që më 15 tetor ta fillojë sezonin e ngrohjes. E kontaktuar nga gazeta “Epoka e re”, zëdhënësja e “Termokos”-it, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka bërë me dije se mbarëvajtja e sezonit të ngrohjes varet nga të hyrat të cilat do të sigurohen nga inkasomi, por edhe nga temperaturat që do të mbizotërojnë.

“Teknikisht jemi të gatshëm për ta filluar sezonin e ri ngrohës. Janë ndërruar qindra metra gypa të vjetër me gypa të rinj të paraizoluar në ato vende, ku gjatë sezonit të kaluar janë identifikuar probleme në qarkullimin e energjisë ngrohëse", ka deklaruar ajo

Sipas saj është bërë pastrimi i këmbyesve të nxehtësisë, ndërsa në Departamentin e Prodhimit është bërë pastrimi kimik i kaldajave.

"Të gjitha këto intervenime janë bërë me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ngrohjes që do t’u ofrohet gjatë këtij sezoni ngrohës konsumatorëve tanë”, ka thënë Uka-Fejzullahu.

Ajo ka thënë se për “Termokos”-in shqetësues dhe një ndër problemet kryesore është borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj ndërmarrje.

“Që nga paslufta e deri më tani janë me miliona euro borxhe, të cilat ‘Termokos’-it nuk i janë paguar nga konsumatorët. Deri më tani rreth 12 500 konsumatorë ia kanë borxh ‘Termokos’-it mbi 17 milionë euro, prej të cilave mbi 14 milionë janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa afër 3 milionë janë borxhe të subjekteve afariste”, është shprehur ajo.

Uka-Fejzullahu ka bërë me dije se konsumatorëve borxhlinj u janë dërguar vërejtjet e fundit për pagesën e borxheve të cilat i kanë ndaj “Termokos”-it.

“Nga përgjigjja e tyre varet nëse do t’u ofrohet ngrohje në këtë sezon ngrohës. Ndaj atyre që nuk do t’ia paguajnë borxhet, ‘Termokos’-it do të merren të gjitha masat e përcaktuara ligjore”, është shprehur Uka-Fejzullahu, e cila ka bërë me dije se orari i furnizimit me ngrohje do të varet nga temperaturat që do të mbizotërojnë. (A.Mavraj)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)