Termokos mërrdhinë qytetarët e Prishtinës

Me mosaktivizimin e ngrohjes përveç mërdhirjes së qytetarëve që po u afrohet nga Termokos po rrezikohet edhe vazhdimi i mbajtjes së procesit mësimor në të gjitha nivelet, shëndeti i pacientëve në institucionet shëndetësore, shëndeti i personave të privuar nga liria dhe oficerëve që kujdesen për ta, shëndeti i pensionistëve dhe banorëve të shtëpisë për të moshuar si dhe mbarvajta e bizneseve.
KMDLNj përkujton autoritetet e komunës së Prishtinës se mosaktivizimi i ngrohjes së qytetit Termokos rrezikon seriozisht buxhetin e varfëruar të qytetarëve sepse ata detyrohen që të përdorin mënyra alternative për ngrohje siç janë rryma, nafta dhe me drunj çmimet e të cilave janë të papërballueshme për qytetarin.
Sidomos ngrohja me rrymë në kohën kur përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe tarifave dimërore rrezikon mirëqenien dhe standardin e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Prishtinë dhe atyre që furnizohen me ngrohje nga Termokos.
KMDLNj kërkon nga autoritetet e komunës së Prishtinës që janë përgjegjëse për menaxhimin e ngrohjes së qytetit të intervenojnë në mënyrë që sa më shpejt të fillojë furnizimi me ngrohje për qytetarët e Prishtinës si dhe përgjegjësi për ata që nuk u aktivizuan ngrohtoren në afatin e paraparë.
Gjithashtu, KMDLNj kërkon që në kohë kur qytetarët nuk furnizohen me ngrohje të mos ngarkohen me fatura të ngrohjes përkatësisht të mos detyrohen të paguajnë për shërbime që nuk iu janë ofruar.