Suedia vazhdon mbështetjen për MMPH-në

Prishtinë, 1 shkurt - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur në takim sekretaren e shtetit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer, me të cilën bisedoi për projektet mjedisore të përkrahura nga qeveria e këtij shteti, e të realizuara nga Agjencioni Suedez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).
Ministri Agani, fillimisht falënderoi sekretaren Modeer për ndihmën e shtetit të Suedisë dhënë për Kosovëm, ndërsa e njoftoi për projektet e ndryshme të ministrisë në sektorin e mjedisit, me theks të veçantë në përmirësimin e ngritjes së cilësisë së ajrit, konkretisht me aktin nënligjor me të cilin do të kontrollohen emisionet e gazrave nga automjetet.
Po ashtu ministri Agani e njoftoi diplomaten suedeze për shënimet e ministrisë në sektorin e trajtimit të mbeturinave të ngurta, në fushën e ujërave të zeza mbi bazën e ekonomisë cirkulare, si dhe themelimin me ligj të Fondit Ekologjik dhe të efiçiencës së energjisë për këtë qëllim.
Agani foli edhe për masat e ndërmarra nga MMPH përkitazi me ndryshimet klimatike, shpronësimet, problematikën e parqeve kombëtare, dhe çështjet e tjera nga këndvështrimi i ministrisë.
E në anën tjetër sekretarja e shtetit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer, tha se shteti të cilin e përfaqëson është mjaftë i interesuar që të investojë në fushën e mjedisit në Kosovë.
Dhe në frymën e këtij bashkëpunimi ajo përmendi projektin në vlerë 6.5 milionë euro që shteti i Suedisë i ka ofruar MMPH-së, përmes Agjencionit Suedez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), që në tre vjetët e ardhshme do të investohen në fushën e mjedisit.
Të dy palët u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej me qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.