Sot nis puna për prodhimin e shtuar në Termocentralet e Kosovës
Para mediave të pranishme, zëdhënësi Vllahiu, tha se ky është lajm shumë i mirë për qytetarët e Kosovës që ndërlidhet me energjinë.
Ai tha se procesi i shpronësimit në Hade dhe Shipitullë sot ka marrë fund dhe banorët e fundit të këtyre fshatrave kanë nënshkruar kontratat me Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës kanë përmbyllur njërën nga çështjet më të mëdha të vendit që kanë mbajtur peng gjendjen energjetike prej më shumë se dhjetë vjetësh. E vlerësojmë angazhimin e menaxhmentit të KEK-ut në bashkëpunim me institucionet e vendit, për ta përfunduar këtë proces të vështirë dhe njëkohësisht emergjent për vendin dhe përkujdesjen e tij për banorët e fshatrave Hade e Shipitullë, të cilëve u janë shpronësuar pronat e tyre”, tha Vllahiu.
Zëdhënësi Vllahiu, po ashtu vlerësoi gatishmërinë e banorëve të fshatrave që të përmbyllin këtë proces të vështirë për ta, por të domosdoshëm për të ardhmen e vendit.
“Sot nis puna që do të mundësoj prodhimin e shtuar në Termocentralet e Kosovës, ndërkaq të gjitha objektet në zonë do të rrënohen para Vitit të Ri. Brenda pak kohësh Kosova nuk do të importojë më energji dhe nuk do të shpenzojë paratë e saj për këtë qëllim, por do të prodhojë vetë energjinë për qytetarët e vet”, u shpreh zëdhënësi Vllahiu.
Duke folur rreth punës 100 ditëshe të kryeministrit Haradinaj, zëdhënësi Vllahiu, tha se gjatë kësaj periudhe kryeministri i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme çështjes së energjisë dhe krijimit të kushteve të favorshme për prodhimin e energjisë nga Termocentralet e Kosovës.
Ai tha se, angazhimi i përditshëm i Kryeministrit Haradinaj në çështjen e energjisë ka parandaluar humbjet që mund të përjetonte Kosova në muajt e ardhshëm, dhe i jep fund edhe shpenzimeve enorme vjetore prej mbi 100 milionë euro, siç ka ndodhur në të kaluarën me blerjen e energjisë.
“E ripërsërisim edhe njëherë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Periudhës emergjente dhe humbjeve po i vjen fundi”, tha Vllahiu, duke theksuar se në 100 ditëshin e parë të qeverisjes Haradinaj, është nënshkruar marrëveshja më e madhe që prej pasluftës në Kosovë, me kompaninë amerikane “Contour Global” për Termocentralin e ri në një vlerë prej mbi 1.3 miliard eurosh, që do të garantojë stabilitetin energjetik dhe njëkohësisht mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se mos funksionimi i këtyre ekskavatorëve për më shumë se 16 muaj kanë shkaktuar humbje enorme, diku rreth 1 milion euro në muaj, dhe kjo për shkak të neglizhencës së një qeverie e cila nuk i ka dhënë prioritet fushës së energjisë.
“Kjo është një e arritur e madhe që të sigurohet furnizimi i brendshëm i energjisë”, tha ministri Lluka, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e tij në zhbllokimin nga një krizë e mundshme energjetike.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj tha se sot përfundimisht po fillojnë aktivitetet.
“Përfundimisht në mëngjes kemi arritur marrëveshje me lagjen Mirena. Siç po e shihni pas nesh janë duke punuar dy ekskavatorë. Qëllimisht i kemi vendosur dy ekskavatorë për ta përshpejtuar dhe për ta evituar një krizë nëpër të cilën mund të kaloj vendi gjatë sezonit në të cilën po hyjmë”, tha drejtori Gjukaj.