05 Maj 2024

Shtrenjtimi i rrymës do t'i bëjë prodhuesit edhe më pak konkurrues

Prishtinë, 4 mars - Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ngarkonte më tej ndërmarrjet kosovare, e posaçërisht ato të sektorit të prodhimit.

Ky shqetësim doli sot nga një tryezë e organizuar sot nga Komiteti i Prodhimit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, komitet ky i cili u themelua muajin e kaluar me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çështjeve që ndikojnë në funksionimin e këtij sektori.

Përveç bizneseve anëtare të Komitetit të Prodhimit, të ftuar në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRE), Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Në këtë takim, anëtarët e Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane shprehën shqetësimin e tyre lidhur me këtë çështje duke besuar se kjo do të ngarkonte edhe më tej sektorin privat e sidomos industrinë prodhuese e cila përbën ndër industritë më të mëdha dhe më kontribuuese në zhvillimin ekonomik të vendit. Shtrenjtimi i energjisë elektrike por edhe moskrijimi i lehtësirave të tjera fiskale pamundësojnë rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e bilancit tregtar në Kosovë.

Kjo bëhet edhe më shqetësuese duke pasur në mendje mungesën e burimeve të tjera të energjisë dhe mundësitë e pakta për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme.

Kompanitë prodhuese kërkuan që në vend të shtrenjtimit të mëtejmë të energjisë elektrike, të shikohen mundësitë e ofrimit të tarifave sa më të përballueshme dhe të favorshme të energjisë për komunitetin afarist.

Kryesuesi i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Burim Kuraja në hapje të tryezës shprehu shqetësimin e anëtarëve të komitetit të cilin ai kryeson, duke shpresuar që ky takim do të del të jetë konstruktiv dhe do të rezultojë me konkluzione konkrete drejt zgjidhjes së këtyre çështjeve.

Luan Morina nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në fjalën e tij hyrëse njoftoi për përpjekjet e qeverisë në krijimin e një strategjie të energjisë në favor të konsumatorëve të vendit, kështu duke zgjeruar bashkëpunimin edhe me rajonin, veçanërisht me Shqipërinë. Z. Morina shtoi se hartimi i këtij plani është i fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese, si energjia e gjelbër dhe energjitë tjera që nuk dëmtojnë ambientin.

Krenar Bujupi nga ZRRE duke njoftuar për humbjet e shumta teknike dhe komerciale që po pëson sistemi energjetik, tha se është e domosdoshme ristrukturimi i sistemit tarifor në mënyrë që të vazhdojë furnizimi i plotë i energjisë elektrike për konsumatorët në vend.

Ai njoftoi për progresin e shënuar nga sistemi energjetik në Kosovë duke pakësuar, madje edhe ndaluar të gjitha donacionet, subvencionet e dhuruara deri më tani nga shteti. Z. Bujupi shprehu përkushtimin e institucionit të tij në eliminimin e tërësishëm të humbjeve me ndërrimin e njësive të vjetra në sistem.

Gjithashtu, Drejtori Menaxhues i KEK, z. Arben Gjukaj bëri të ditur se çmimi i tanishëm i energjisë elektrike në vend është ndër çmimet më të ulëta në rajon dhe kërkesat e tyre për investime më të mëdha në sistemin energjetik janë për arsye të sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve duke ju ofruar furnizim sa më të mirë me energji elektrike.

Gjuka u shpreh se shqetësimet e bizneseve lidhur me ngritjen e çmimit dhe heqjen e maksigrafit, janë mekanizma që mundësojnë funksionimin e duhur të sistemit energjetik, megjithatë ekzistojnë mundësi dhe teknika të ndryshme në evitimin e këtyre çështjeve nga konsumatorët.

Kompanitë e sektorit të prodhimit shprehën individualisht shqetësimet e tyre lidhur me vendimin e paralajmëruar të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike duke bërë thirrje për krijimin e mundësisë së ofrimit të tarifave sa më të favorshme për bizneset, veçanërisht sektorit të prodhimit, kështu duke gjeneruar vende të reja të punës dhe rritur konkurrueshmërinë e tyre në rajon.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)