Rusia do të ndërtojë centrale bërthamore në Afrikën e Jugut

Johanesburg, 24 shtator - Rusia do të ofrojë mbështetje me fonde, teknikë si dhe instalime infrastrukturore për të ndërtuar 8 centrale bërthamore me kapacitet të përgjithshëm prej 9.6 gigavatë për Afrikën e Jugut para vitit 2030.
Një deklaratë e Ministrisë së Energjetikës e Afrikës së Jugut njoftoi të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi strategjik mbi energjinë bërthamore me kompaninë ruse energjetike ROSATOM.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë konferencës së 58-të të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Kjo do të jetë hera e parë që në kontinentin afrikan do të ndërtohet një central bërthamor me teknologjinë ruse. Parashikohet se shpenzimet për ndërtimin e centraleve bërthamore do t\'i kalojnë 40 miliardë dollarët.
Ndërkohë, mediat e Afrikës së Jugut raportojnë se kompania shtetërore e energjisë atomike e Afrikës së Jugut sqaroi se marrëveshja në fjalë nuk tregon se Rusia ka marrë kontratën për ndërtimin e centraleve bërthamore me një vlerë prej dhjetëra miliardë dollarësh.
Përveç Rusisë, është e mundshme që Afrika e Jugut të nënshkruajë një marrëveshje të tillë edhe me Francën, Kinën, ShBA-në dhe Japoninë, ndërkohë që ndërtimi i këtyre centraleve do të përcaktohet me tender.